Kremlini: Kontaktet me Ukrainën do të vazhdojnë patjetër

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se ende nuk ka një mirëkuptim për një raund të ri negociatash me Ukrainën

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se ende nuk ka një mirëkuptim për një raund të ri negociatash me Ukrainën, transmeton Anadolu.

Lidhur me shkëmbimin e të burgosurve dhe kthimin e trupave të ushtarëve, që nuk u zhvillua pavarësisht se ishte planifikuar për në fundjavë me Ukrainën, Peskov tha: “Ekspertët tanë janë në vendin ku do të zhvillohet shkëmbimi dhe ne jemi gati të zbatojmë marrëveshjet. Le të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet qasja e Ukrainës”.

Ai shtoi se Rusia u përmbahet marrëveshjeve të arritura me Ukrainën në negociatat në Stamboll. “E njëjta gjë nuk vlen për Ukrainën. Rusia vazhdon të jetë e gatshme të zbatojë marrëveshjet e arritura në Stamboll”, tha Peskov.

– “Synojmë të zhvillojmë ndërveprimin tonë me vendet afrikane në mënyrë gjithëpërfshirëse”

Sa i përket lëvizjes së ushtrisë ruse drejt rajonit Dnipropetrovsk duke arritur kufirin administrativ perëndimor të Donetskut në Donbas, Peskov tha se kjo manovër është kryer në kuadër të krijimit të një “zone tampon”.

Lidhur me mënyrën se si Rusia do t’i përgjigjet memorandumit të përgatitur nga Ukraina, Peskov tha “Kontaktet do të vazhdojnë patjetër. Në varësi të mënyrës se si do të zhvillohet situata, konsultimet dhe negociatat që do të zhvillohen duhet të vazhdojnë dhe të përqendrohen në raundin tjetër të negociatave. Për momentin nuk ka kuptim të qartë për këtë çështje”.

Peskov foli edhe për marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve afrikane. “Prania ruse në Afrikë po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Ne synojmë të zhvillojmë ndërveprimin tonë me vendet afrikane në mënyrë gjithëpërfshirëse përmes bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve. Ky bashkëpunim shtrihet në fusha të ndjeshme që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë”, tha zëdhënësi i Kremlinit.

Kategoritë
BotaLajme