“SHBA-ja ka një borxh prej 33 trilionë dollarësh. Ne nuk kemi më fuqinë për të subvencionuar sigurinë e Evropës”, tha Mike Waltz
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz deklaroi se vendi i tij ka borxhe me vlerë triliona dollarë dhe se Evropa duhet të marrë përsipër sigurinë e Evropës dhe mbrojtjen e Ukrainës, transmeton Anadolu.
Në një prononcim për “New York Post”, Waltz tha se NATO ka “mbetur prapa” në çështjen e menaxhimit të “luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Ai tha se Evropa duhet të marrë përsipër çdo ndihmë të ardhshme për Ukrainën.
Pasi rikujtoi se Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014 si pasojë e mospërmbushjes së buxhetit minimal të mbrojtjes prej 2 për qind në atë kohë nga shumica e anëtarëve të NATO-s, Waltz bëri thirrje që buxhetet e mbrojtjes të rriten në të paktën 5 për qind.
“SHBA-ja ka një borxh prej 33 trilionë dollarësh. Ne nuk kemi më fuqinë për të subvencionuar sigurinë e Evropës. Duhet të bëjmë dallimin midis aleatëve tanë në Evropën Lindore, siç janë Polonia, Estonia, Letonia, Lituania dhe të tjerëve”, tha Waltz.
Ai theksoi se vende si Spanja, Kanadaja dhe Italia janë “të pamjaftueshme për të mbajtur barrën” dhe se SHBA-ja do të vazhdojë të kërkojë që aleatët të paguajnë pjesën e tyre.
– Planet e SHBA-së për Lindjen e Mesme
“Evropa mund të kishte ofruar mbështetje me anije për operacionet që SHBA-ja ka ndërmarrë kundër Huthive në Jemen”, deklaroi Waltz i cili pretendon se kjo mbështetje është kursyer.
Ai foli edhe për politikat e Washingtonit në Lindjen e Mesme. “Ne po i godasim ata (Huthit). Po përpiqemi ta denuklearizojmë Iranin. Po hapim rrugë të reja ujore në Detin e Kuq. Synojmë të zgjidhim konfliktin në Gaza”, potencoi këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.
Waltz tha se “shpreson që konfliktet të qetësohen kryesisht” si rezultat i vizitave të pritura të presidentit amerikan, Donald Trump në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. “Trump është serioz në lidhje me çështjen se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore”, nënvizoi Waltz.
Ai vuri në dukje se tërheqja e Panamasë nga Iniciativa e Kinës “Një Brez, një Rrugë” ishte “hap i madh” dhe se është e rëndësishme që Kanadaja të krijojë baza dhe të hapë rrugë të reja të transportit detar kundër interesave të Kinës dhe Rusisë që janë gjithnjë duke u rritur në rajonin e Arktikut.