Mbahet ekspozita “Të njohim trashëgiminë tonë me materiale kreative”

– VELARD PAQARIZI

Mbrëmë në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës u mbajt aktiviteti përmbyllës i projektit  “Të njohim trashëgiminë tonë me materiale kreative”,  realizuar nga Yeliz Bilurdagu

Në programin përmbyllës, pjesëmarrësit patën mundësi të shohin një ekspozitë tërheqëse, e cila përmbante objekte historike të shndërruar në puzzle dhe në kartela edukative. Kjo ekspozitë ishte një përfaqësim i përpjekjeve të vazhdueshme për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore në mënyra të reja dhe kreative.

  

Nxënësit e shkollave fillore, të udhëhequr nga Yeliz Bilurdagu, kishin punuar me pasion dhe kreativitet për të realizuar këtë ekspozitë.

Për ta, kjo ishte një mundësi unike për të mësuar më shumë për historinë dhe kulturën e tyre në një mënyrë të përfshirëse dhe argëtuese. Përdorimi i objekteve historike si materiale për krijimin e puzzle-ve dhe kartelave edukative tregoi se si njohuria e trashëgimisë kulturore mund të përhapet nëpërmjet kreativitetit dhe artit.

Koordinatorja e projektit, Yeliz Bilurdagu, tha se përveq promovimit të trashëgimisë kulturore synimi ishte edhe forcimi i lidhjeve mes prindërve dhe fëmijëve për  të kontribuar në zhvillimin e fëmijëve

”Qëllimi kryesor është që fëmijët që në moshë të vogël të njihen me kulturën e tyre duke marrë informacione të sakta dhe të besueshme. Njëkohësisht, projekti ynë nuk është vetëm për nxënësit/fëmijët, ne synojmë gjithashtu të forcojmë lidhjet mes prindërve dhe fëmijëve, të kontribuojmë në zhvillimin e fëmijëve dhe t’u mundësojmë atyre të kalojnë një kohë të këndshme së bashku”, tha ajo.

Bashkëpunëtorja e projektit, Primesa Arapi, duke vlerësuar ecurinë e projektit, theksoi se ky aktivitet ka qenë një rrugë e suksesshme për të afruar rininë me trashëgiminë kulturore në një mënyrë inovative dhe stimuluese. Ajo shprehu kënaqësinë e saj për angazhimin dhe kreativitetin e nxënësve të shkollave fillore, duke vënë në dukje se ata kanë shfaqur një pasion të vërtetë për të mësuar dhe për të ndikuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Arapi gjithashtu shtoi se kjo përvojë ka treguar rëndësinë e përfshirjes së rinisë në projekte sociale dhe kulturore, duke shkaktuar një ndikim pozitiv në shoqëri./Gazetaere/VP

Kategoritë
LajmeTë ndryshme