Shkelësit e Kushtetutës janë super-kriminelë!

Nga: Albinot Maloku

Sot gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, Kuvendi i Republikës e bëri shtetin e Kosovës me Kushtetutën e parë moderne të saj. Miratimi me 9 prill dhe hyrja në fuqi me 15 qershor të 2008, ishte moment historik i cili rrodhi pas atij të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik.

Definicioni thotë se Kushtetuta paraqet aktin superior në hierarkinë normative të rendit juridik të shtetit, mirëpo Kushtetuta e Kosovës është më shumë se kaq. Kjo Kushtetutë është simbol i përpjekjeve gjenerative të shqiptarëve për Kushtetutë e Republikë! Është fryma e forma e shtetit, respekti e nderi që iu dha qytetarëve të Kosovës për t’i jetësuar idealet kushtetuese që i ka secili vend sovran.

Duke pa gjithë këtë peshë që e mbart me vete Kushtetuta e Kosovës, dhe respektin e konsideratën që e ka pasur për këto vite ajo, sidomos nga drejtuesit më të lartë të shtetit, le për të dëshiruar shumë. Gjithherë në këto vjetore kemi pa shtimin e numrit të shkeljeve kushtetuese nga ata që jo se nuk do të duhej ta bënin, por janë të thirrur ta ruanin këtë Kushtetutë. Në fundvitin e kaluar kishte dal një raport që fliste për “Kushtetutshmërinë në qeverisje”! Ky raport thoshte se ishin 28 raste ku Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se projektligjet, vendimet e Kuvendit, vendimet dhe aktet nënligjore të Qeverisë ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës.

Gjykata Kushtetuese edhe më përpara kishte gjetur shkelje kushtetuese, të kategorive të ndryshme, mirëpo bajrakun numerik duket se e mban legjislatura e qeverisja aktuale! Nuk ka shkelje të rënd apo shkelje të lehtë të Kushtetutës. Shkelja është shkelje! Pa dyshim, vetëm atëherë kur shteti, drejtuesit e tij të të gjitha niveleve të hierarkisë shtetërore e partitë politike e respektojnë Kushtetutën e rendin kushtetues, mund të kërkojnë e insistojnë nga qytetarët lojalitet kushtetues. Nëse vetë institucionet shtetërore janë autorë të shkeljes së Kushtetutës, atëherë të pakuptimta e pa përmbajtjen bëhen thirrjet për shtet ligjor e sundim të ligjit.

Kosova veç gjithë patriotizmave tjerë ka nevojë thelbësisht edhe për patriotizëm kushtetues, në mënyrë që t’ia njohë vlerën shtetit e Republikës. Shkelësit e Kushtetutës duhet të konsiderohen, jo veç kriminel, por super kriminel.

Urime, Kushtetuta jote Kosovë, Republika jonë e çmuar!


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina