Një grup aktivistësh izraelitë dhe të huaj u mblodhën në portin izraelit të Ashdodit, ku pritej të dërgohet anija “Madleen”, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe duke kërkuar heqjen e bllokadës ndaj Gazës dhe përfundimin e “gjenocidit”
Anija me emrin “Madleen”, që i përkiste Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFF), e cila u nis për të thyer bllokadën e Gazës, që po përballet me urinë nën sulmet izraelite dhe për t’u dërguar ndihmë humanitare palestinezëve, u bastis nga komando detare të ushtrisë izraelite në ujërat e Mesdheut, raporton Anadolu.
Një grup aktivistësh izraelitë dhe të huaj u mblodhën në portin izraelit të Ashdodit, ku pritej të dërgohet anija “Madleen”, duke mbajtur flamuj palestinezë dhe duke kërkuar heqjen e bllokadës së Rripit të Gazës dhe përfundimin e “gjenocidit”.
Anija me flamur britanik synonte të thyente një bllokadë shkatërruese të vendosur nga Izraeli në Gaza, ku gati 55 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023.
Duke mbajtur një sasi ndihmash, përfshirë ushqim, anija u kap nga forcat izraelite gjatë natës para se të arrinte në bregun e Gazës dhe u tërhoq në portin Ashdod të Izraelit.
Ushtarët izraelitë ndaluan 12 persona në bordin e anijes “Madleen”, përfshirë 11 aktivistë dhe një gazetar, njoftoi Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, e cila organizoi misionin.