Izraeli: Do ta deportojmë Greta Thunberg dhe të gjithë ekuipazhin e anijes Madleen

Në një komunikatë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit thuhet se ekuipazhi i anijes Madleen është dërguar në Izrael dhe do të deportohet, sipas protokollit, në shtetet përkatëse të shtetësisë së tyre.

Izraeli planifikon që aktivistët e ndaluar t’i sjellë në portin Ashdod, dhe më pas t’i përfshijë në një “proces të shpejtë deportimi” përmes aeroportit Ben-Gurion. Pritet që ata të mbërrijnë në Ashdod mbrëmjen e së hënës, sipas kohës lokale, dhe që deportimi të realizohet sa më parë.

“Anija është duke lundruar në mënyrë të sigurt drejt brigjeve të Izraelit. Pritet që pasagjerët të kthehen në vendet e tyre të origjinës,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

“Jahti ‘Selfie’, që transporton Greta Thunberg dhe të ashtuquajturit ‘të famshëm’, po vazhdon rrugëtimin drejt portit izraelit”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkohë, Qendra Ligjore Adalah për të drejtat e pakicave arabe në Izrael ka njoftuar se ka dërguar me urgjencë një letër autoriteteve izraelite, duke kërkuar informacion mbi vendndodhjen e 12 aktivistëve që janë ndaluar me forcë, pas marrjes së anijes Madleen nga marina izraelite.

Qendra Adalah thekson se jahti nuk ka hyrë kurrë në ujërat territoriale të Izraelit, dhe as nuk ka pasur qëllim të hyjë.

“Adalah kërkon zbulimin e menjëhershëm të vendndodhjes dhe statusit juridik të aktivistëve, si dhe garantimin e qasjes në përfaqësim ligjor përballë autoriteteve izraelite,” përfundon deklarata.

Kategoritë
BotaLajme