Masoud Pezeshkian ka 42,3 për qind të votave ndërsa numërimi vazhdon, kurse Saeed Jalili është në vendin e dytë me 39,5 për qind
Kandidati reformist Masoud Pezeshkian po kryeson në zgjedhjet e parakohshme të Iranit të mbajtura pasi presidenti i ndjerë Ebrahim Raisi humbi jetën në një aksident me helikopter muajin e kaluar, transmeton Anadolu.
Pezeshkian ka tubuar 42,3 për qind të votave, sipas një zëdhënësi të selisë zgjedhore të vendit, i cili tha se kandidati Saeed Jalili është i dyti në garën e katër kandidatëve me 39,5 për qind, me mbi 14 milionë vota të numëruara që nga hapja e kutive të votimit në mesnatë.
Dy kandidatët e tjerë janë Mohammad-Bagher Ghalibaf dhe Mostafa Pourmohammadi.
Që një kandidat të zgjidhet në raundin e parë, duhet të marrë më shumë se 50 për qind të votave.
Nëse asnjë kandidat nuk e kalon këtë prag në raundin e parë, një balotazh do të mbahet më 5 korrik.