Hajdari, PDK: VV akuzonte Thaçin për tradhti, tani prapaskena e tyre është strukje e nënshtrim para Listës Serbe

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas audio-incizimit të publikuar të Mimoza Kusarit me deputetin e Listës Serbe, Savko Simiq, derisa përmendet se shefja GP të VV-së ka kontaktuar edhe me Milan Radojiçiqin, shkruan Reporteri.net.

Hajdari ka thënë se partia në pushtet të gjithë i ka bërë tradhtar, e bashkëpunëtor të Radojiçiqit e Vuçiqit, teksa thekson se i quanin edhe servilë e që s’bënin dot pa Listën Serbe kur ishin në pushtet si PDK, e kjo sipas Hajdarit vetëm që “t’iu vijë dita të koordinohen, ama jo me SHBA-në por me Radojçiqin”.

Tutje ai ka shkruar se të njëjti kanë akuzuar ish-presidentin Thaçi për tradhti, e tani prapaskena e tyre është strukje e nënështrim para Listës Serbe.

Postimi i plotë:

Përgjimet treguan atë që e dinim.

Të madh e të vogël, partia në pushtet e ka bërë tradhtar, bashkëpunëtor të Radojçiqit, Vuçiqit, e kujt tjetër jo.

Na thoshin servilë, s’bëni dot gjë pa Listën Serbe, po shisni Kosovën, e një aradhë të tërë akuzash e përbaltjesh të neveritshme, vetëm që t’u vijë dita të koordinohen, ama jo me SHBA-në por me Radojçiqin.

Të njëjtit që e akuzonin Hashim Thaçin për tradhti, që na quanin të padinjitet se kërkonim masa të koordinimit me partnerët e sponsorët e shtetësisë së vendit, sot mbahen gjokspërpjetë e bërtasin për dinjitet në skenë, ndërkohë që prapaskena është strukje e nënshtrim para Listës Serbe.

Unë nuk kam dyshim që qytetari i Kosovës do t’ua tregojë vendin matrapazëve e pseudopatriotëve që bateritë e patriotizmit i mbajtën mbushur vetëm deri në pushtet, por sa do të dëmtohet Kosova deri në atë moment.

Dorëheqje! Zgjedhje!

Kthejani vendimin qytetarit, amatorë të paedukatë e të paditur deri në dhimbje!

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi