Ndalimet për therjen e kafshëve pa trullosje në Belgjikë nuk ndërhyjnë në lirinë e fesë ose përbëjnë diskriminim, ka vendosur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Vendimi i së martës nga një gjykatë në Strasburg, Francë, i referohet një peticioni të paraqitur nga grupet myslimane kundër ndalimeve të vendosura në vitin 2019 në dy nga tre rajonet e Belgjikës.
Vendimi është i formës së prerë sepse gjykata në Strasburg është shkalla më e lartë me juridiksion për shqyrtimin e ndalimeve.
Grupet hebreje dhe myslimane në Belgjikë kundërshtojnë ndalimet, të cilat ata e shohin si një shkelje të paarsyeshme të lirisë fetare.
Ndalimet i bëjnë thirrje besimit të përhapur se therja pa trullosje është mizore ndaj kafshëve. Përkrahësit e therjes hebreje, ose shechit, argumentojnë se kur kryhet siç duhet, teknika nuk shkakton vuajtje të tepruar për kafshët. Të njëjtën gjë pohojnë edhe mbrojtësit e variantit mysliman, d’biha.
Shumë besimtarë hebrenj dhe myslimanë nuk konsumojnë mish që nuk është kosher apo hallall.
Në mënyrë që mishi të etiketohet si i tillë, kafshët nga të cilat është prodhuar duhet të jenë të shëndetshme dhe të ndërgjegjshme kur u pritet fyti. Disa vende në Bashkimin Evropian dhe më gjerë kanë ligje që kufizojnë ose ndalojnë therjen pa trullosje.

