Gjetja e mbetjeve mortore të tre personave, Haxhiu: Trupat do t’iu dorëzohen familjeve pas rezultateve të ADN-së

Gjetja e mbetjeve mortore të tre personave, Haxhiu: Trupat do t’iu dorëzohen familjeve pas rezultateve të ADN-së

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se pas gërmimeve sot në Vidimiriq, në veri të Kosovës, janë gjetur mbetjet mortore të së paku tre personave që besohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë.

“Krahas gërmimeve në lokacione të ndryshme në Republikën e Kosovës (si: Prishtinë, Podujevë dhe Kamenicë), sot ekipet tona të IML-së dhe Policisë së Kosovës, kanë vazhduar gërmimet në lokacionin e quajtur ‘Vidimiriq’, Veriu i Kosovës. Ne kemi hasur në mbetje mortore, të së paku 3 personave, që sipas ekspertëve tonë mjekoligjorë, mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se pas ekzaminimit më të hollësishëm dhe pas konfirmimit të ADN-së do të njoftohet më me saktësi për rezultatet e këtyre gjetjeve.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thotë se mbetet i përkushtuar për të trajtuar me seriozitet të lartë, çdo informacion të mundshëm në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Për këtë ka shkruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se pas pranimit të rezultateve të ADN, trupat do t’iu dorëzohen familjarëve.

“3 trupa të gjetur sot në Vidimiriq të Mitrovicës së Veriut! Ekspert nga IML, përfaqësues nga KQPZH të shoqëruar nga policia, EULEX dhe ICRC, kanë arritur të bëjnë zhvarrimin e tre trupave në Vidimiriq të Mitrovicës së Veriut, persona të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. Pas pranimit të rezultateve të ADN, trupat do t’iu dorëzohen familjarëve. Falënderoj ekipin për angazhimin. Nuk do të ndalemi deri sa të zbardhet fati i të gjithë personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë!”.

 

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova