Finlanda i ofron mbështetje Kosovës për anëtarësim në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është takuar me homologun e tij nga Finlanda, Antti Hakkanen në Helsinki.

Gjatë këtij takimi, Hakkanen i ka ofruar mbështetje Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në këtë takim, ministri ka njoftuar homologun e tij finlandez rreth zhvillimeve të fundit të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kërcënimeve me të cilat po ballafaqohet Kosova. Gjithashtu, ai e informoi rreth zhvillimit të kapaciteteve të mbrojtjes dhe nevojës për mbështetje nga partnerët në këtë kohë kur demokracia dhe siguria globale po cenohet nga qasja hegjemoniste e akterëve autokratik.

Ministri Hakkanen theksoi se Finlanda do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, si dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Mbrojtjes së Finlandës për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Gjatë takimit, ata diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes së luftës së drejtë të popullit të Ukrainës si dhe mundësitë për bashkëpunimin në mes të vendeve tona në fushën e industrisë së mbrojtjes”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë vizitës në Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës, ministri Maqedonci ka zhvilluar takime edhe me Drejtuesit e Drejtorisë së Politikave të Mbrojtjes dhe Burimeve Materiale.

Finlanda së fundmi është anëtarësuar në NATO pas frikës se mund të sulmohej nga Rusia. Kërkesën për anëtarësim e ka bërë edhe Suedia, mirëpo hyrja e saj  në NATO ende nuk është ratifikuar nga Hungaria.

Kategoritë
BotaLajme