Mediumi boshnjak: Regjimi i Dodikut po sjell me autobusë votues nga Austria në prag të zgjedhjeve në BeH

Mediumi boshnjak: Regjimi i Dodikut po sjell me autobusë votues nga Austria në prag të zgjedhjeve në BeH

Televizioni boshnjak BN TV ka publikuar pretendime për një skemë të organizuar të blerjes së votave në Austri, në favor të SNSD-së dhe kandidatëve të saj, në prag të zgjedhjeve në Republika Srpska. Sipas materialeve të dërguara nga emigrantë dhe punëtorë nga diaspora, për votuesit nga Bosnja dhe Hercegovina dyshohet se janë ofruar 200 euro, transport drejt Republika Srpskas dhe qëndrim në hotel, në këmbim të mbështetjes për kandidatët e partisë së Milorad Dodikut.

Sipas BN-së, në materialet video të publikuara përmenden shumat prej 200 eurosh, ndërsa përshkruhet edhe organizimi i transportit të votuesve drejt Banjalukës, Dobojit dhe Bijelinës. Televizioni thotë se këto materiale janë siguruar nga persona nga diaspora dhe se bëhet fjalë për pretendime që lidhen me strukturat në pushtet.

Raportimet hedhin dritë edhe mbi mënyrën se si, sipas këtyre pretendimeve, makineria politike e SNSD-së po mobilizon vota përmes parave, presioneve dhe strukturave publike, në një fushatë ku gara elektorale po shoqërohet me akuza të shumta për keqpërdorime.

Një tjetër rast i përmendur është fabrika “Orao” në Bijelina, ku pretendohet se punëtorëve, përmes organizatës sindikale, u janë paguar nga 150 marka konvertibile, ndërsa njëkohësisht dyshohet se ndaj tyre është ushtruar presion për t’u futur në listat e votuesve të sigurt për kandidatët e koalicionit qeverisës për president të Republika Srpskas dhe anëtarin serb të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në qendër të akuzave është edhe drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Banjalukë, Irena Joldzhiq. Ajo akuzohet se përmes mesazheve u ka bërë thirrje përdoruesve të shërbimeve të institucionit që të votojnë për të dhe SNSD-në, duke përdorur dyshohet se të dhënat e tyre personale. Për këtë është kërkuar shkarkimi i saj dhe hetimi i përgjegjësisë së mundshme për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Këto pretendime vijnë në një klimë ku BN TV ka raportuar edhe më herët për akuza për blerje votash, përdorim të burimeve publike dhe presione ndaj qytetarëve në Republika Srpska. Sipas një raportimi të mëhershëm të këtij mediumi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shqiptuar gjoba prej mbi 700 mijë markash për shkelje të ligjit zgjedhor, ndërsa SNSD-ja ishte partia me numrin më të madh të gjobave në atë raportim.

Në një tjetër raportim, BN publikoi pretendime se aktivistë të partive në pushtet po shpërndanin para dhe edhe produkte të ndryshme për të siguruar vota, ndërsa qytetarët dyshohet se frikësoheshin se do të zbulohej se për kë kishin votuar.

Kategoritë
LajmeRajoni
Reklamë: ABE Kosova