Fitore e rezistencës qytetare: E moshuara që u bë simbol i krizës së banimit në Spanjë do të rikthehet në shtëpinë e saj

Fitore e rezistencës qytetare: E moshuara që u bë simbol i krizës së banimit në Spanjë do të rikthehet në shtëpinë e saj

87-vjeçarja Maricarmen Abascal, e cila u bë simbol i krizës së rëndë të banimit në Spanjë pasi u nxor me forcë nga banesa e saj në Madrid mbi një barelë, do të ketë mundësinë të rikthehet në shtëpinë ku ka jetuar për më shumë se 70 vjet.

Sipas avokates së saj, Beatriz Duro, është arritur një marrëveshje në parim me pronarët e pronës, gjë që konsiderohet rezultat i drejtpërdrejtë i mobilizimit masiv qytetar dhe presionit publik në të gjithë vendin.

Abascal u dëbua me forcë nga banesa më 23 shtator, pas së cilës u shtrua në spital për shkak të lodhjes së rëndë dhe stresit.

Babai i saj e kishte marrë banesën me qira që në vitin 1956, ndërsa ajo vazhdoi të jetonte aty edhe pas vdekjes së prindërve, nën kufizimet ligjore të qirasë që ishin në fuqi më parë.

Situata ndryshoi rrënjësisht kur kompania investuese Urbagestion bleu pronën në vitin 2018 dhe brenda një kohe të shkurtër e rriti qiranë mujore nga 500 euro në 2.650 euro.

Kompania më vonë ofroi uljen e qirasë në 1.650 euro, por Abascal përsëri nuk mund ta përballonte këtë shumë me pensionin e saj mujor prej 1.350 eurosh.

Pasi gjykatat kishin bllokuar tri herë më parë dëbimin e saj, tentativa e katërt u realizua.

Pamjet dhe fotografitë e të moshuarës së sëmurë duke u nxjerrë nga shtëpia mbi një barelë shkaktuan një valë zemërimi në shoqërinë spanjolle.

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Madridit për të protestuar kundër dëbimeve nga banesat, rritjes së pakontrolluar të çmimeve të qirave dhe mungesës kronike të banesave të përballueshme.

Rasti arriti deri në nivelet më të larta të shtetit, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez paralajmëroi masa urgjente për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së strehimit, të cilat pritet t’i paraqiten kabinetit të tij.

Avokatja Duro konfirmoi në një konferencë për media se, sipas marrëveshjes së re, Abascal do të paguajë një shumë qiraje të ngjashme me atë fillestare, duke shmangur kështu rritjen drastike të çmimit.

Kontrata do të nënshkruhet sapo gjendja e saj shëndetësore të stabilizohet.

Aktivistët për të drejtat e banimit e kanë cilësuar këtë rezultat si një fitore të madhe të qytetarëve, por kanë paralajmëruar se lufta e tyre do të vazhdojë.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Spanjës, vendit aktualisht i mungojnë rreth 700.000 njësi banimi për të përmbushur kërkesën.

Qeveria e pakicës e Pedro Sánchezit tani po përpiqet të miratojë në parlament ligje të reja që synojnë mbrojtjen e qiramarrësve dhe zbutjen e pakënaqësisë së qytetarëve.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova