Fillon rrugëtimin “Konvoji i Rezistencës së Magrebit” nga Tunizia në Gaza

“Ky konvoj është pjesë e një iniciative globale që përfshin më shumë se 30 vende nga Evropa, Amerika e Jugut dhe Azia Juglindore”, tha zëdhënësi i Konvojit, dr. Muhammed Emin Bennur

“Konvoji i Rezistencës së Magrebit”, i organizuar për të thyer bllokadën izraelite të Rripit të Gazës dhe për të mbështetur popullin palestinez u nis nga Tunizia, raporton Anadolu.

Të mbledhur në “Rrugën e 5-të Mohammed” në qendër të kryeqytetit Tunis, qindra aktivistë nga Mauritania, Maroku, Algjeria dhe Tunizia përfunduan procedurat e tyre të regjistrimit në orët e para të mëngjesit dhe u nisën për në ndalesën e parë të konvojit, qytetin Sousse në Tunizi.

Një numër i madh njerëzish gjithashtu përcollën konvojin duke mbajtur flamuj palestinezë dhe tunizianë.

– “Konvoji është pjesë e një iniciative globale”

Duke folur për AA-në në lidhje me konvojin e organizuar nën udhëheqjen e Koordinimit të Pavarur të Solidaritetit të Palestinës me seli në Tunizi, zëdhënësi i Konvojit, dr. Muhammed Emin Bennur tha “Ky konvoj është pjesë e një iniciative globale që përfshin më shumë se 30 vende nga Evropa, Amerika e Jugut dhe Azia Juglindore”.

“Ne po veprojmë njëkohësisht me organizata të ndryshme që synojnë të arrijnë në Gaza nga toka, deti dhe ajri. Qëllimi ynë është të arrijmë në Gaza nga toka dhe t’i njoftojmë botës atë që po ndodh në Gaza me aktivitetet që do të organizojmë gjatë gjithë udhëtimit”, tha ai.

Ai theksoi se konvoji tokësor i cili do të vazhdojë me pjesëmarrjen e mijëra vullnetarëve nga vendet e rajonit, përveç kryeqytetit të Tunizisë do të përfshijë gjithashtu pjesëmarrje nga qytetet Sousse, Safakes (Sfax) dhe Gabes.

“Pas kalimit nëpër Tunizi, planifikojmë të arrijmë në Rripin e Gazës nëpërmjet Libisë dhe Egjiptit. Po punojmë në koordinim me iniciativa të tilla si Marshimi në Gaza, Marshimi Global në Gaza dhe Flotilja e Lirisë që përbëhet nga shumë anije”, tha Bennur.

– Konvoj me 12 autobusë dhe 100 automjete

Një nga anëtarët e koordinimit, Javahir Shenna deklaroi se përgatitjet përfundimtare për konvojin kanë përfunduar. “Së bashku me vëllezërit tanë që vijnë nga Algjeria, mbi një mijë pjesëmarrës janë shpërndarë në 12 autobusë dhe 100 automjete. Pasi pjesëmarrjet të jenë përfunduar gjatë rrugës, të gjithë do të nisemi drejt Gazës”, tha Shenna.

Në anën tjetër, mijëra aktivistë nga 32 vende, në koordinim me organizatat e shoqërisë civile, diplomatët dhe organizatat e ndihmës humanitare, planifikojnë të mbajnë një protestë në pikën kufitare të Rafah më 15 qershor.

Aktivistët synojnë të mblidhen në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, më 12 qershor, të nesërmen të shkojnë në qytetin Arish në kufirin me Gazën dhe nga aty të arrijnë në pikën kufitare të Rafah me një ecje 50 kilometrash që do të zgjasë 3 ditë.

– Situata humanitare në Gaza po përkeqësohet

Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 kanë çuar në vrasjen ose plagosjen e më shumë se 181 mijë palestinezëve, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Më shumë se 11 mijë njerëz janë të zhdukur në rajon dhe qindra mijëra janë zhvendosur.

Ushtria izraelite, e cila ka intensifikuar sulmet e saj ndaj civilëve në Rripin e Gazës, njoftoi fillimin e ofensivës tokësore që do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin. Ushtria izraelite ka dërguar njoftime ajrore duke kërcënuar se do të sulmojë palestinezët, veçanërisht në veri të Gazës dhe zona të tjera, dhe duke i urdhëruar ata të lëviznin drejt jugut.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) organizatat e të drejtave të njeriut dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës kanë paralajmëruar se ofensiva tokësore e ushtrisë izraelite do ta përkeqësonte më tej situatën humanitare tashmë katastrofike.

Mediat izraelite raportuan se Izraeli ka krijuar “kampe përqendrimi” në jug të Rripit të Gazës, ku do të shpërndante ndihmë të kufizuar humanitare pas dëbimit të palestinezëve. Nëpërmjet imazheve satelitore u zbulua se ushtria izraelite ishte përgatitur për këtë duke rrafshuar zona të mëdha në qytetin jugor të Rafah.

Kategoritë
BotaLajme