Erdoğan: Turqia do të ketë kushtetutë liberale

“Kushtetuta e re do të jetë më e rëndësishmja midis reformave të fundit të Turqisë”, ka thënë presidenti Erdoğan

“Ne do të arrijmë për Turqinë një kushtetutë gjithëpërfshirëse, të qartë, demokratike dhe liberale që do t’i prijë marshimit të saj në shekullin e ardhshëm”, tha presidenti Erdoğan gjatë një takimi të zgjeruar të drejtuesve të provincave të Partisë së tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) përmes një video-linku.

Erdoğan tha se midis reformave të fundit, propozimi për një kushtetutë të re ishte më e rëndësishmja.

Muajin e kaluar, Erdoğan u kërkoi të gjitha partive politike të marrin pjesë në hartimin e një kushtetute të re, me mbështetjen e udhëheqësit të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) Devlet Bahçeli.

AK Partia ka 289 vende në Parlamentin prej 600 vendesh ndërsa MHP ka 48, që së bashku kanë 337 vende. Kjo bie larg nga shumica prej 360 votave të nevojshme për të miratuar kushtetutën e re.

“Ne jemi partia që ndryshoi plotësisht fytyrën demokratike dhe ekonomike të vendit tonë me shumë reforma që ne i quajmë revolucione të heshtura”, theksoi Erdoğan, duke përmendur njoftimin e një Plani të Veprimit për të Drejtat e Njeriut të martën.

Ai tha se pakoja e reformës ekonomike do të shpallet gjithashtu javën e ardhshme.

Kategoritë
BotaLajme