E quajnë “Mamdani i Berlinit”: Kush është Elif Eralp, politikania që mund të bëhet kryetare e kryeqytetit gjerman

Partia E Majta (Die Linke) fitoi numrin më të madh të votave në zgjedhjet rajonale në Berlin, ndërsa rezultati i mirë i partive të tjera që bashkëpunojnë me të, SPD-së dhe të Gjelbërve, ka hapur mundësinë që kryeqyteti gjerman në të ardhmen të drejtohet nga Elif Eralp, e cila udhëhoqi Die Linke në këto zgjedhje.

Duke qenë se Berlini është njëkohësisht qytet i pavarur dhe land më vete në sistemin gjerman, pozita e kryetarit të qytetit është e barasvlershme me atë të kryeministrit në rajonet e tjera.

Për herë të parë në historinë e Gjermanisë, në këtë pozitë mund të vijë një person me prejardhje turke, duke pasur parasysh se Eralp aktualisht është ndër kandidatët më të afërt për ta marrë këtë post.

Prindërit e saj u larguan nga Turqia drejt Gjermanisë në shtator të vitit 1980, pas grushtit ushtarak në këtë vend. Nëna e saj ishte shtatzënë në momentin kur mbërriti në Gjermani, ndërsa Eralp lindi në vitin 1981 në Mynih.

Gjatë viteve në vijim familja jetoi edhe në Dortmund, ndërsa më pas u vendos përfundimisht në Hamburg. Elif përfundoi Fakultetin Juridik në Hamburg, ndërsa në vitin 2010 u shpërngul në Berlin, ku jeton që atëherë.

Ajo është aktive politikisht që nga shpërngulja në Berlin dhe menjëherë filloi të angazhohej pranë partisë Die Linke, së cilës iu bashkua zyrtarisht në vitin 2017.

Pozitën e parë politike e fitoi në zgjedhjet për parlamentin rajonal të Berlinit në vitin 2021. Mandatin e ruajti edhe në vitin 2023, si dhe në zgjedhjet e këtij viti, megjithëse pritet që ajo të mos vazhdojë si deputete, por të synojë postin e kryetares së Berlinit.

Gjatë fushatës, e cila i solli partisë një rritje prej 16 mandatesh, analistët në Gjermani e quajtën atë “Mamdani i Berlinit”, për shkak të ngjashmërive mes mënyrës së saj të zhvillimit të fushatës dhe asaj të kryetarit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani.

Dega e Die Linke në Berlin, nën drejtimin e Eralp, madje vendosi kontakte me ekipin e Mamdanit dhe mori disa elemente nga fushata e tij, e cila i kishte sjellë fitoren kryetarit aktual të Nju Jorkut.

Eralp ishte shumë aktive në rrjetet sociale, por edhe në terren, ku së bashku me aktivistët e partisë vizitonte dhe komunikonte drejtpërdrejt me qytetarët e Berlinit.

Ashtu si Mamdani, edhe Eralp e vendosi në qendër të fushatës çështjen e çmimeve të larta të qirave të banesave, duke përdorur madje edhe shembullin e saj personal.

Ajo theksonte shpesh gjatë fushatës se dëshironte të zhvendosej në një banesë më të madhe së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj, por se nuk mund ta përballonte financiarisht për shkak të çmimeve të larta të qirave.

Kjo fushatë dha rezultat dhe Eralp tani është në pozitë që të synojë postin më të fuqishëm politik në Berlin dhe, nëse zgjidhet, të hyjë në histori.

Kategoritë
BotaLajme