Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, iu përgjigj ashpër Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili pretendoi se largimi i hershëm i Trump-it nga Samiti i G7-ës lidhej me përpjekjet për armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. Trump e akuzoi Macron-in se është “në kërkim të reklamës” dhe tha: “Kthimi im në Uashington nuk ka të bëjë me armëpushimin, çështja është shumë më e madhe.”
Samiti i G7-ës i vitit 2025, i mbajtur në Kanada, nisi nën hijen e tensioneve midis Izraelit dhe Iranit.
Fillimisht ishte planifikuar të trajtonte tema si siguria energjetike, zinxhirët e furnizimit me minerale kritike, transformimi dixhital dhe lufta kundër zjarreve pyjore, por për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, fokusi u zhvendos tek mënyrat për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit.
Samiti përfundoi me një deklaratë të përbashkët për të shmangur një krizë diplomatike.
NUK E NËNSHKROI DEKLARATËN
Megjithëse deklarata dënonte prerazi përpjekjet e Iranit për të arritur armë bërthamore dhe mbështeste të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, Presidenti amerikan Donald Trump refuzoi ta nënshkruante dokumentin.
U LARGUA NGA SAMITI PARA KOHËS
Në ditën e dytë të samitit, Trump u largua para kohe dhe u kthye në Uashington për shkak të rritjes së tensioneve mes Izraelit dhe Iranit.
Shtëpia e Bardhë e arsyetoi vendimin me “zhvillimet në Lindjen e Mesme”.
Para nisjes, Trump u shpreh se është i shpresuar për një marrëveshje ndërmjet Iranit dhe Izraelit, por shtoi: “Ndonjëherë shtetet duhet të luftojnë sa duhet.”
“TRUMP PO PUNON PËR ARMËPUSHIM”
Presidenti francez Emmanuel Macron komentoi se largimi i Trump-it lidhej me përpjekjet për të arritur armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.
“Trump u tha liderëve të G7-ës se do të punojë për një armëpushim. Amerikanët i kanë propozuar iranianëve të bisedojnë. Do të shohim çfarë do të ndodhë,” deklaroi Macron, duke shtuar se SHBA mund të ushtrojë presion mbi Izraelin dhe se mbrojtja e civilëve është thelbësore.
TRUMP-I I KUNDËRVIHET MACRON-IT: “ËSHTË NË KËRKIM TË REKLAMËS”
Këto deklarata të Macron-it ngjallën reagimin e ashpër të Trump-it.
Në rrjetin e tij social, Trump i mohoi pretendimet dhe e akuzoi Presidentin francez për kërkim të vëmendjes mediatike.
Deklarata e Trump-it ishte si më poshtë:
“Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, që është gjithmonë në kërkim të reklamës, tha gabimisht se u largova nga Samiti i G7-ës në Kanada për të punuar mbi një ‘armëpushim’ mes Izraelit dhe Iranit. E pavërtetë! Emmanuel nuk e di fare pse jam kthyer në Uashington, dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me armëpushimin. Është një çështje shumë më e madhe. Qoftë qëllimisht apo jo, Emmanuel gjithmonë e keqkupton situatën. Qëndroni të informuar!”
Trump nuk dha detaje rreth arsyes së vërtetë të kthimit të tij, por e cilësoi atë si “shumë më e madhe” sesa një armëpushim.