Detaje të reja, kush e solli nga Kosova makinën që u përdor nga autori për vrasjen e Briken Sanajt

Detaje të reja janë zbardhurnga vrasja e Briken Sanajt, para një muaji te “Kodra e Diellit” në Tiranë.

Policia shpalli në kërkim kombëtar e ndërkombëtar në kërkim autorin e vrasjes Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, banues në Lezhë. Në kërkim janë shpallur edhe Gjelosh Krasniqi 49 vjeç dhe Kened Antoni, 25 vjeç, si bashkëpunëtorë në krim, pasi kanë ndihmuar autorin në kryerjen e vrasjes.

Ndërkohë nga policia bëhet me dije se makina e përdorur nga autori i vrasjes është blerë nga një shtetas kosovar Kened Antoni.

Ky i fundit ia ka shitur automjetin tip “Benz” shtetasit kosovar Gjelosh Krasniqi më datë 24.10.2022 dhe po në ketë datë këta shtetas e kanë futur këtë automjet ne territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion personit nën hetim Vladimir (Valmir) Kola.

Sipas bluve, Kola e ka përdorur këtë makinë për realizimin e vrasjes se shtetasit Briken Sanaj dhe më pas e ka braktisur dhe djegur ne rrugën dytësore Tiranë – Durrës, së bashku me armën e krimit. Policia gjithashtu ka sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes si dhe 10 aparate celulare.

Si ndodhi ngjarja?

Briken Sanaj u qëllua me breshëri kallashnikovi pasi u kthye nga dasma e shokut të tij Anton Gjini që u bë në Lezhë. Autori i maskuar, theu rrethimin e pasëm të rezidencës dhe e qëlloi. Më pas u largua bashkë me një bashkëpunëtor.

Vendi ku autori i vrasjes qëndroi i fshehur pas një peme ulliri e me fushëpamje të qartë në garazhin ku do parkohej makina, ishte vëzhguar më së miri prej atentatorit. Kjo për faktin se nga pjesa e pasme e rezidencës ku ai hyri, nuk mbulohej me kamera sigurie.

Si pistë kryesore, hetuesit kanë atë të vrasjes për shkak të hasmërisë, pasi vëllai i Briken Sanajt, në vitin 2012 ka plagosur në Lezhë një person me origjinë nga Puka, pas konflikteve që kishin për ngacmimin e një vajze.

Kategoritë
LajmeVendi