Zv/kryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim Ambasadorin e Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim Ambasadorin e Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, fillimisht, ambasadori Angılı shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit Afrim Bunjaku, Policinë dhe popullin e Kosovës.
Angılı tha se “Türkiye e mbështet Kosovën në këtë moment të vështirë pas këtij sulmi”.
Zv/kryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për mbështetjen dhe mesazhin e tij. Bislimi e informoi atë më tej mbi sulmin terrorist të së dielës, duke thënë se ishte i orkestruar e organizuar nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Kosovës.
“Tashmë ka prova të mjaftueshme që faktojnë përfshirjen e Serbisë në këtë sulm, nga prezenca e nënkryetarit të Listës Serbe, prezenca e truprojës së shefit të BIA-s, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë e strehimi i terroristëve në Serbi”, thuhet në njoftim.
Më tej, palët diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale dhe rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Türkiye-s.















