Agjentët rusë: Perëndimi planifikon të sulmojë një anije luftarake amerikane dhe të fajësojë Rusinë

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) ka lëshuar një deklaratë alarmuese duke akuzuar Ukrainën dhe Britaninë për plane të përbashkëta provokuese në Detin Baltik, me qëllim ndërprerjen e procesit të negociatave mes Rusisë dhe SHBA-së, raporton portali Info24.

Skenari: Sulm i inskenuar me torpedo ndaj një anijeje amerikane

Sipas SVR-së, një nga skenarët e mundshëm përfshin një sulm të simuluar me torpedo të prodhimit sovjetik apo rus ndaj një anijeje luftarake amerikane. Inteligjenca ruse pohon se këto torpedo janë dërguar nga Kievi tek britanikët, për t’u përdorur në këtë operacion.

Shpërthime të kontrolluara për efekt propagandistik

“Planifikohet që disa prej këtyre torpedove të shpërthejnë në një ‘largësi të sigurt’ nga anija amerikane, ndërsa njëra prej tyre nuk do të aktivizohet dhe do t’i paraqitet opinionit si provë e ‘aktivitetit të rrezikshëm rus’”, thuhet në deklaratën e SVR-së.

Forcat ukrainase gati për zbatimin e skenarit

Agjentët rusë gjithashtu deklarojnë se shërbimet e sigurisë të Ukrainës janë gati për ta zbatuar këtë plan në terren.

Skenari alternativ: mina ruse “të gjetura rastësisht”

Sipas burimeve të inteligjencës ruse, një tjetër plan përfshin të ashtuquajturën “nxjerrje të rastësishme” të minave detare ruse nga Deti Baltik, së bashku me partnerë nga vendet e Europës Veriore. Këto mina do të paraqiten si mjete të instaluara nga Rusia për të sabotuar rrugët ndërkombëtare detare.

Ky zhvillim është pjesë e një serie akuzash të ndërsjella mes Rusisë dhe Perëndimit në kontekstin e tensioneve të shtuara në Evropën Lindore dhe Detin Baltik.

Kategoritë
BotaLajme