​Tërmet i fuqishëm në Zelandë të Re, alarm për cunami

Një tërmet me fuqi 6.9 sipas shkallës Rihter tronditi Zelandën e Re sot, njoftoi Instituti Gjeofizik Amerikan, duke deklaruar se ishte lëshuar një paralajmërim për cunami.

Tërmeti ndodhi 180 kilometra në verilindje të qytetit të Gisborne, në orën 2.27 të premten me kohën lokale (14.27 të enjten me kohën e Evropës Qendrore), në një thellësi relativisht të cekët prej dhjetë kilometrash.

“Valët e cunamit që mund të arrijnë midis 0.3 dhe një metër janë të mundshme,” tha Qendra e Paralajmërimit të Cunamit në Paqësor, e cila është e vendosur në Havai, SHBA.

Tërmeti u ndje fuqishëm në Ishullin Verior të Zelandës së Re dhe më shumë se 50.000 njerëz e raportuan atë përmes aplikacionit lokal të mbikëqyrjes Geonet.

Deri më tani nuk ka raportime për viktima ose dëme materiale.

Zelanda e Re shtrihet në Brezin e Zjarrit të Paqësorit. Vendi kohët e fundit shënoi 10-vjetorin e tërmetit me madhësi 6.3 ballë sipas Rihterit që goditi zonën e qytetit Christchurch, në ishullin Jugor, i cili vrau 185 njerëz.

Kategoritë
BotaLajme