Zinedine Zidane, ish-trajneri i Real Madridit dhe një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, së fundmi ka refuzuar një ofertë marramendëse nga Arabia Saudite me vlerë prej 100 milionë eurosh për një angazhim njëvjeçar si trajner.
Edhe pse gazeta L’Équipe, e cila e publikoi lajmin, nuk e përmendi emrin e klubit, supozohet se bëhet fjalë për një nga klubet më të fuqishme saudite nën mbështetje shtetërore, si Al Nassr apo Al Hilal, që kohët e fundit po transferojnë rregullisht yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.
Zidane ka theksuar se për momentin klubet nuk e interesojnë, pavarësisht shumave të mëdha që ofrojnë.
Vizioni dhe motivimi i tij janë të përqendruara vetëm te Kombëtarja e Francës, me të cilën si lojtar ka fituar Kupën e Botës në vitin 1998 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2000.
Selektori aktual i “Gjelave”, Didier Deschamps, është në krye të përfaqësueses që nga viti 2012 dhe ka kontratë deri në përfundim të Kupës së Botës 2026. Ai më parë ka njoftuar se do të largohet në fund të mandatit, dhe Zidane e sheh këtë si mundësinë e tij për të marrë drejtimin e kombëtares dhe për të realizuar ëndrrën e tij.