Ylli i Real Madridit ‘ndez’ zërat për largim, shihet në takim me drejtorin sportiv të Al-Nassr

Arabia Saudite vazhdon ofensivën për të tërhequr emra të mëdhenj nga futbolli evropian, dhe këtë verë duket se fokusi i saj ka kaluar tek Real Madrid.  

Interesi për Vinicius Jr. është i njohur, por emra si Luka Modric dhe Lucas Vazquez janë gjithashtu pjesë e listës së dëshiruar nga klubet saudite në prag të  afatit kalimter të verës. 

Sipas burimeve të afërta me klubin dhe raportimeve të MARCA, tani edhe mbrojtësi gjerman Antonio Rüdiger ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të futbollit saudit. 

Rüdiger së fundmi është parë duke darkuar me Fernando Hierro, drejtori sportiv i Al Nassr, si dhe me Fran Porras, figurë e afërt me Hierro dhe një emër me ndikim në futbollin spanjoll.  

Në takim kanë qenë të pranishëm edhe disa agjentë, çka ka rritur ndjeshëm spekulimet për një transferim të mundshëm të gjermanit drejt Arabisë Saudite pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.

Verën e kaluar, Rüdiger ishte lidhur me një kalim te Al Ittihad, por këtë herë është Al Nassr që ka shfaqur interes konkret.  

Me një kontratë që e mban në “Santiago Bernabéu” deri më 30 qershor 2026, Real Madrid i ka bërë të qartë lojtarit se e ardhmja e tij është në dorën e tij.  

Nëse Rüdiger vendos të largohet, klubi është i gatshëm të pranojë një tarifë transferimi dhe të nisë kërkimin për një zëvendësues. 

Gjithsesi, burime të besueshme si Fabrizio Romano dhe Sky Sport raportojnë se Real Madrid e konsideron Rüdiger si një pjesë thelbësore të skuadrës dhe nuk ka ndërmend të negociojë largimin e tij këtë verë. 

Për më shumë, madje, klubi do të ishte i hapur për një zgjatje kontrate në të ardhmen. 

Vetë mbrojtësi gjerman është aktualisht i përqendruar te rikuperimi pas një ndërhyrjeje në gju dhe synon të rikthehet në fushë në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Kupën e Botës për Klube, ndaj Pachucas. 

Në një intervistë të fundit, ai theksoi se është i lumtur te Real Madridi. 

“Në futboll nuk i dihet asnjëherë, por për momentin jam shumë, shumë i lumtur këtu”, ka thënë Rudiger.

Kategoritë
LajmeSport