”Votoni pa hezitim ”, shoqata Esnaf kërkon përkrahjen e asambleistëve për Parkun e Biznesit

Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF në Prizren me një kumtesë për media bën thirrje për mbështetjen e menjëhershme të projektit të rëndësishëm, Parkut të Biznesit në Prizren

Pas një periudhe të gjatë premtimeve elektorale për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, Shoqata ESNAF ka vendosur të ngritë zërin dhe të bëjë thirrje të drejtpërdrejtë drejt përfaqësuesve të popullit në asamble.

Kryetari i shoqatës, Varis Xhejlani, ka shprehur nevojën e realizimit të projektit të Parkut të Biznesit si një hap jetik drejt përparimit të komunitetit dhe zhvillimit ekonomik të K.K. Prizren. Ai ka bërë thirrje që asambleistët të tregohen të përgjegjshëm dhe të mbështesin me veprime zhvillimin e Parkut të Biznesit, duke e shpallur këtë një nga prioritetet kryesore për komunën.

KUMTESË   PËR   MEDIA

Apel gjithë asambleistëve në K.K. Prizren

E nderuara kryesuese e asamblesë komunale,

E ju të nderuarë asambleistë,

Parku i Biznesit është i rëndësisë vitale për zhvillimin ekonomik të një vendi do të mundësojë tërheqjen e investitorëve të huaj, hapjen e bizneseve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës e cila kurorëzohet me sigurimin e mirëqenjes dhe prosperitetit për qytetarët e Komunës dhe parandalimin e largimit të pjesës më vitale të popullsisë, rinisë Kosovare nga Kosova jonë për të cilën gjithë ne kemi sakrifikuar shumë.

E nderuara kryesuese, te nderuar asambleistë,

Të gjithë jeni të vetdijshëm për rolin dhe rëndësinë e parkut të biznesit, jeni dëshmitarë se të gjitha subjektet politike në fushata parazgjedhore gjithnjë kanë premtuar zhvillimin e Parkut të Biznesit, por ato premtime nuk janë finalizuar.

Drejtësia e vonuar shpeshherë është padrejtësi më e madhe por me moton më mire tani se kurrë është qasti të dëshmoheni përballë komunitetit të biznesit!

Andaj,

Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF, shoqatë lidere në artikulimin e zërit të komunitetit të biznesit, fton gjithë asambleistët e komunës së Prizrenit që fillimisht para vehtes tuaj e më pas para elektoratit tuaj të dëshmoni sinqeritetin se me të vërtetë jeni zëri i popullit në asamble dhe të votoni një të mire të përgjithshme për gjithë qytetarët e Komunës se Prizrenit, të votoni pa hezitim PËR PARKUN E BIZNESIT.

Me shumë respekt

Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve ESNAF

Varis Xhejlani
Kryetar i Bordit

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi