Kurti takon Princin e Kurorës së Kuvajtit: Koha për partneritet konkret në zhvillimin ekonomik

Kurti takon Princin e Kurorës së Kuvajtit: Koha për partneritet konkret në zhvillimin ekonomik

Kryeministri Kurti bëri të ditur gjithashtu se ka kërkuar mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në margjinat e punimeve të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, është takuar me Princin e Kurorës së Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah.

Kurti kujtoi fillimin e miqësisë midis Kosovës dhe Kuvajtit që lindi në kohën kur kosovarët po dëboheshin nga shtëpitë e tyre gjatë luftës dhe Kuvajti mblodhi shtatë milionë dollarë për një ditë të vetme për Kosovën, solidaritet të cilin Kurti tha se “nuk e harrojmë”.

Kurti the Al-Sabah biseduan ndër tjerash edhe për kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin paqeruajtës në Kuvajt si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Kryeministri kosovar tha se këtë muaj mbushen 15 vjet të marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit, i cili ka qëndruar me Kosovën në rrugën e saj drejt organizatave ndërkombëtare, por, tani është koha për thellimin e marrëdhënieve.

“Tani është koha për një hap të ri domethënës: këtë miqësi ta kthejmë në partneritet konkret në rrugën e zhvillimit ekonomik. Shprehëm gatishmërinë tonë për ta nënshkruar memorandumin për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim, i cili do t’u japë marrëdhënieve tona mundësi të reja dhe një kornizë të qëndrueshme. U pajtuam që së shpejti do t’i përmbyllim edhe marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve”, theksoi Kurti.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se ka kërkuar mbështetjen e Kuvajtit që Kosova të fitojë statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam.

Gjithashtu u theksua se nevoja dhe vullneti i përbashkët për bashkëpunim ekonomik më të gjerë dhe më të thellë në sektorë kyç, si teknologjia e informacionit dhe industria e mbrojtjes.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova