Vlerësime të ndryshme nga Pentagoni: Ministri thotë “i shkatërruam objektet”, por gjenerali nuk është aq i sigurt

Zyrtarë të lartë amerikanë mbajtën një konferencë për shtyp në Pentagon pas sulmit të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, gjatë së cilës ministri dhe gjenerali nuk e vlerësuan në të njëjtën mënyrë efektin e sulmit ndaj objekteve bërthamore.

Ministri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se sulmi amerikan ishte “i fuqishëm dhe i saktë” dhe përsëriti pretendimet e presidentit Donald Trump se “e kanë shkatërruar programin bërthamor” të Iranit, duke shtuar se ambiciet bërthamore iraniane janë eliminuar.

“E kemi shkatërruar programin bërthamor iranian, por vlen të theksohet se operacioni nuk ishte i drejtuar kundër trupave apo popullit iranian”, tha Hegseth.

Megjithatë, kryetari i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-së, gjenerali John Caine, përdori fjalë shumë më të kujdesshme, duke deklaruar se aftësia bërthamore e Iranit “është zvogëluar ndjeshëm”.

Të dy e lavdëruan presidentin Donald Trump për vendimin për të ndërmarrë këtë veprim, si dhe forcat ushtarake që, sipas tyre, realizuan me sukses një sulm që asnjë shtet tjetër nuk do të mund ta kryente.

“Operacioni që presidenti Trump planifikoi ishte i guximshëm dhe brilant. Kur flet ky president, bota duhet ta dëgjojë, dhe ne mund ta mbështesim atë me ushtrinë amerikane”, ishin fjalët e Hegseth, i cili gjatë gjithë fjalimit lavdëroi Trumpin.

Kategoritë
BotaLajme