Vizita në Ankara/ Rama pritet me ceremoni zyrtare nga Erdogan, shoqërohet nga disa ministra! Nis takimi mes tyre

Kryeministri Edi Rama është pritur në një ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama ishte në Anitkabir, Mauzoleumin e Mustafa Kemal Atatürkut, lideri i Luftës Turke për Pavarësi dhe themeluesi e Presidenti i parë i Republikës së Turqisë.

Pas ceremonisë së veçantë të mikpritjes  Rama dhe Erdogan do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.

Më pas, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të drejtojnë Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive. Në nisje të mbledhjes Kryeministri Rama do të adresohet me një fjalë.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në vijim disa marrëveshje  dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj.

Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan do të komunikojnë për median  deklaratën e përbashkët për shtyp.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë dhe  Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani; Ministri i Mbrojtjes  Niko Peleshi; Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj; Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu; Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu; si dhe  Ministrja  i Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Kategoritë
BotaLajme