Qeveria venezueliane u ka thënë qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet për në SHBA dhe u ka bërë thirrje atyre që jetojnë atje të largohen menjëherë.
Ministria e Jashtme e Venezuelës i bëri thirrje bashkatdhetarëve të saj të “mbrojnë jetën e tyre dhe atë të familjeve të tyre dhe të kthehen në atdhe”.
Bëhet e ditur se ajo e përshkroi SHBA-në si një “vend të rrezikshëm ku të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë për emigrantët”.
“Nuk ka ëndërr amerikane atje, vetëm ankthe. Detyra jonë është të denoncojmë këtë realitet dhe të kërkojmë respekt për bashkatdhetarët tanë”, tha ministria.
Ministri i Jashtëm Yvan Gil pohoi se ishte e rrezikshme të ishe një migrant latino-amerikan, me prejardhje afrikane ose venezueliane në SHBA, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Si provë, u përmend rasti i qindra migrantëve që u deportuan në një burg të sigurisë maksimale në El Salvador në fillim të këtij viti.
Sipas Venezuelës, të deportuarit jetojnë “në kushte çnjerëzore” dhe po i nënshtrohen “torturës psikologjike”.
Ndryshe, paralajmërimi i udhëtimit vjen pasi qeveria amerikane lëshoi alarmin e saj të martën e kaluar, duke u kërkuar qytetarëve të mos udhëtojnë në Venezuelë për asnjë arsye dhe të largohen menjëherë nga vendi për shkak të rrezikut të lartë të ndalimit arbitrar.
Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se kishte “rreziqe serioze” të ndalimeve të padrejta, krimeve të dhunshme dhe trazirave civile në vendin e Amerikës Latine.
Sipas shënimit zyrtar, Venezuela është vendi me numrin më të lartë të qytetarëve amerikanë të ndaluar padrejtësisht.
SHBA nuk ka një ambasadë ose konsullatë në Venezuelë, kështu që nuk mund të ofrojë ndihmë për qytetarët e tyre atje.