Vajza e Luis Enrique-s vdiq në vitin 2019 në moshën vetëm nëntëvjeçare – tani spanjolli ia ka kushtuar asaj fitoren në Ligën e Kampionëve

Trajneri i Paris Saint Germainit, Luis Enrique, mbrëmë u bë trajneri i shtatë në histori që fiton Ligën e Kampionëve me dy klube të ndryshme, si dhe i dyti pas Pep Guardiolës që fiton dy herë tripletën (kampionat, kupë dhe Champions).

PSG e tij e shkatërroi Interin me rezultat 5:0, duke e fituar për herë të parë në histori titullin kampion të Evropës. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, Enrique ndërroi fanellën dhe veshi një të veçantë me një mbishkrim në nder të vajzës së tij, Xana.

Xana ndërroi jetë në vitin 2019, në moshën vetëm nëntëvjeçare, për shkak të osteosarkomës, një formë e rrallë e kancerit të kockave. Në fanellë ishte i theksuar logoja e “Fundación Xana”, fondacion që familja Enrique ka themeluar në kujtim të saj.

Më pas, Enrique u ul në gjunjë në fushën e “Allianz Arena-s” dhe tregoi me dorë nga emri “Xana”, duke treguar edhe një herë se sa shumë e ka në zemër vajzën e tij.

Para finales, spanjolli kishte paralajmëruar se, në rast se do të fitonte Ligën e Kampionëve, do t’ia kushtonte fitoren në mënyrë të veçantë Xanës, duke përmendur edhe një fotografi të vitit 2015, kur së bashku me të kishte festuar titullin me Barcelonën.

“Vajza ime nuk do të jetë fizikisht e pranishme, por do të jetë aty shpirtërisht – kjo është shumë e rëndësishme për mua,” kishte thënë Enrique para ndeshjes.

Kategoritë
Sport