Ushtria izraelite do të “qëndrojë me muaj të tërë” në zonën tampon që pushtoi në Siri

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz tha se ka udhëzuar ushtrinë të qëndrojë gjatë muajve të dimrit në zonën tampon dhe zonën e pushtuar pas 7 dhjetorit në malin Hermon

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz deklaroi se ka udhëzuar ushtrinë të qëndrojë gjatë muajve të dimrit në zonën tampon dhe zonën e pushtuar pas 7 dhjetorit në malin Hermon, transmeton Anadolu.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes, Katz ka thënë se ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë në zonën tampon të pushtuar në malin Hermon pas rënies së qeverisë Baath në Siri.

Lidhur me këtë, Katz udhëzoi ushtrinë që të bënte përgatitjet e nevojshme për të qëndruar në zonën tampon të pushtuar në malin Hermon gjatë muajve të dimrit. Ai ka potencuar më parë se pushtimi në zonën tampon do të ishte “i përkohshëm”.

“Marrja e malit Hermon nga ushtria izraelite ka rëndësi të madhe sigurie për shkak të asaj që po ndodh në Siri”, tha Katz.

Ai pati një takim dje me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Herzi Halevi dhe zyrtarë të tjerë ushtarakë për të vlerësuar situatën në Siri.

Pas këtij takimi, u mor vendimi për të vazhduar pushtimin e malit Hermon gjatë muajve të dimrit.

– Sulmet dhe pushtimi i Izraelit në Siri

Pas luftimeve që u intensifikuan në Siri më 27 nëntor dhe njëkohësisht me rënien e regjimit 61-vjeçar të partisë Baath më 8 dhjetor, u shtuan sulmet e ushtrisë izraelite në Siri.

Ushtria izraelite, e cila filloi të shkatërrojë infrastrukturën ushtarake dhe objektet e lëna nga ushtria e regjimit, zgjeroi pushtimin e saj në Lartësitë e Golanit, që është territor sirian.

Ushtria izraelite, e cila hyri në zonën tampon rreth Lartësive të Golanit, e çoi pushtimin më tej dhe arriti 25 kilometra afër kryeqytetit Damask.

Izraeli ka pushtuar Lartësitë siriane të Golanit që nga viti 1967. Kufijtë e zonës tampon dhe zonës së demilitarizuar u përcaktuan me Marrëveshjen e Tërheqjes së Forcave të nënshkruar midis Izraelit dhe Sirisë në 1974.

Kategoritë
BotaLajme