Fotografia e karrigeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së bëhet virale: Metaforë e përsosur për gjendjen aktuale

Fotografia e karrigeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së bëhet virale: Metaforë e përsosur për gjendjen aktuale

Këtë javë në New York po mbahet sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa një diplomat ukrainas ka publikuar një fotografi interesante që tregon gjendjen e mobilieve në ndërtesën e kësaj organizate botërore.

Ish-ambasadori i Ukrainës në OKB, ndërsa sot zëvendësshef i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, publikoi një fotografi të karrigeve nga një prej sallave në selinë e OKB-së.

Në fotografi shihet se karriget ku ulen diplomatët janë mjaft të dëmtuara, ndërsa Kyslytsya e shfrytëzoi këtë për të përshkruar gjendjen aktuale të OKB-së, duke thënë se karriget janë një “metaforë e përsosur”.

“Ato janë të vjetruara, kanë humbur identitetin e tyre dhe kanë nevojë për një reformë rrënjësore. Disa mendojnë se organizata duhet t’u kthehet rrënjëve të saj. Pema e OKB-së u rrit nga fara që Stalini, Roosevelt dhe Churchill mbollën në Jaltë dhe ajo nuk është më një shtyllë e paqes”, shkroi Kyslytsya.

Ai shtoi se as ndryshimi në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, nuk do të sjellë ndonjë përmirësim përderisa Rusia ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Fotografia e publikuar nga Kyslytsya u bë shumë shpejt virale, ndërsa shumë përdorues e shfrytëzuan atë për të kritikuar OKB-në, duke shprehur qëndrime të ngjashme me ato të diplomatit ukrainas.

OKB-ja varet nga financimi i shteteve anëtare dhe secili prej tyre kontribuon çdo vit me shuma të ndryshme në buxhetin e organizatës. Megjithatë, një nga financuesit më të mëdhenj të OKB-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë paralajmëruar se do të zvogëlojnë shumën që ndajnë çdo vit për funksionimin e organizatës.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova