Udhëheqësit myslimanë dhe juristët në Shtetet e Bashkuara po reagojnë ashpër ndaj retorikës së shtuar të politikanëve republikanë në prag të zgjedhjeve, veçanërisht pas deklaratave në Teksas dhe nismave të reja në Kongres.
Mesazhet më të forta u dëgjuan në konventën republikane në Dallas, ku foli senatori kontrovers Ted Cruz.
“Ligji i sheriatit nuk ka vend në Amerikë. Duhet të qëndrojmë së bashku dhe ta ndalojmë menjëherë”, deklaroi Cruz.
Pak më vonë atij iu bashkua edhe guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, duke premtuar se do ta ndalojë plotësisht zbatimin e sheriatit në Teksas.
Udhëheqësit qytetarë myslimanë dhe dijetarët islamë thonë se sheriati në Shtetet e Bashkuara po paraqitet në mënyrë të gabuar si kërcënim ndaj rendit kushtetues. Ata theksojnë se bëhet fjalë për një kornizë fetare që rregullon lutjen, agjërimin, haxhin, bamirësinë dhe etikën personale, dhe jo për një përpjekje për të zëvendësuar sistemin juridik amerikan.
Një nga mbrojtësit më të zëshëm të këtij interpretimi është Sabeel Ahmed, drejtor i projektit GainPeace nga Illinois, i cili këtë vit ka udhëtuar disa herë në Teksas dhe ka biseduar me qytetarë gjatë aktiviteteve të organizuara në xhami.
“Sheriati shpesh keqkuptohet. Shumë njerëz mendojnë se sheriati ka të bëjë vetëm me dënimet, por në Islam ai është udhëzimi i Allahut për të jetuar me besim, drejtësi, mëshirë dhe përgjegjësi”, tha Ahmed.
Për Associated Press ai shtoi se politikanët po përpiqen ta përdorin këtë çështje për të rritur mbështetjen mes votuesve.
“Ata fitojnë popullaritet në këtë mënyrë. Detyra e myslimanëve është të shpjegojnë kuptimin e vërtetë të fjalës sheriat. Nuk duhet të jemi të zemëruar dhe as të mbushur me urrejtje”, deklaroi ai.
Një qëndrim të ngjashëm shprehu edhe Abdullahi Ahmed An-Na’im, jurist islam me origjinë nga Sudani dhe profesor shumëvjeçar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Emory në Atlanta. Ai konsideron se myslimanët në shtetet sekulare mund ta praktikojnë lirisht fenë e tyre dhe thotë se demonizimi i sheriatit tregon një mungesë të theksuar njohurish për atë se çfarë përfaqëson në të vërtetë sheriati.
Në anën tjetër, kongresmenët republikanë nga Teksasi, Keith Self dhe Chip Roy, kanë themeluar në Kongres grupin “Sharia-Free America Caucus” – “Klubi për një Amerikë pa sheriat”, ku janë bashkuar më shumë se 60 anëtarë, të gjithë nga Partia Republikane.
Projektligjet e tyre kundër sheriatit deri më tani nuk janë miratuar, ndërsa Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) e ka cilësuar këtë grup si një organizatë antimuslimane të urrejtjes.
Vëmendje shtesë shkaktoi edhe veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton, i cili në gusht kërkoi dokumente nga Tribunali Islamik me seli në Dallas.
Tribunali më pas sqaroi se nuk vepron si gjykatë dhe se udhëzimet e tij shërbejnë vetëm për ndërmjetësim dhe arbitrazh fetar në çështje që lidhen me fenë, këshillimin familjar dhe çështjet e brendshme fetare, ndërsa të gjitha çështjet me fuqi detyruese juridike u referohen gjykatave të Teksasit.
Profesorja e drejtësisë Asma Uddin nga Michigan State University paralajmëron se disa politikanë po i paraqesin praktikat e zakonshme fetare myslimane, si namazi, veshja, këshillimi familjar dhe frekuentimi i xhamisë, si kërcënim politik.
Sipas saj, bëhet fjalë për një përpjekje për të krijuar frikë dhe për të gjetur një fajtor të përshtatshëm në prag të zgjedhjeve.

