Uji në Ulqin nuk rekomandohet për pije, për shkak të përqendrimeve të shtuara të nitriteve

Për shkak të përqendrimeve të herëpashershme të shtuara të nitriteve në ujin në Ulqin, Instituti për Shëndet Publik njofton qytetarët se aktualisht uji nuk rekomandohet për pije, përgatitje ushqimi apo formulë për foshnje.

“Situata të tilla ndodhin herë pas here për shkak të ndryshimeve specifike në furnizimin me ujë ose kushteve natyrore, dhe nuk janë të pazakonshme. Megjithatë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit – veçanërisht të grupeve të ndjeshme si fëmijët e vegjël – është e rëndësishme që uji të mos përdoret për konsum, përfshirë edhe gatimin, pasi nitritet nuk eliminohen me përpunim termik. Gjithashtu, nuk rekomandohet as larja e dhëmbëve, frutave e perimeve apo larja e fëmijëve të vegjël me këtë ujë, për shkak të mundësisë së gëlltitjes së rastësishme,” thuhet në njoftimin e institutit.

Theksohet se shërbimet kompetente tashmë ndodhen në terren dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të normalizuar sa më parë cilësinë e ujit.

Qytetarët do të informohen me kohë për çdo ndryshim.

Kategoritë
LajmeRajoni