Një stuhi e fuqishme me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erëra të forta ka përfshirë Slloveninë gjatë natës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa rajone të vendit.
Në disa zona, breshëri ka dëmtuar çatitë, ka thyer dritaret, ka shkatërruar fasada dhe ka shkaktuar dëmtime të mëdha në automjete. Në rajonin e Goriškës, një pemë është rrëzuar mbi një veturë në të cilën ndodhej një grua 31-vjeçare, e cila për fat të mirë nuk ka pësuar lëndime. Një tjetër pemë ra pranë shkollës fillore në Šempeter, raportoi portali 24ur.
Sipas Institutit Meteorologjik të Sllovenisë (ARSO), pas kalimit të një fronti të ftohtë të dobësuar gjatë natës, në Evropën Qendrore po forcohet një zonë me presion të lartë ajror, kështu që sot në Slloveni pritet mot kryesisht me diell dhe me mundësi për reshje lokale në brendësi të vendit.