Presidenti amerikan Donald Trump premtoi se do të vendosë tarifa 100 për qind për vendet e BRICS-it nëse ato vendosin të krijojnë një monedhë të përbashkët që do të zëvendësojë dollarin amerikan.
“Ideja që vendet e BRICS-it përpiqen të largohen nga dollari ndërsa ne thjesht e shikojmë këtë nga jashtë, ka përfunduar. Do të kërkojmë që këto vende, të cilat duken armiqësore ndaj nesh, të angazhohen që të mos krijojnë një monedhë të re BRICS dhe as të mbështesin ndonjë monedhë tjetër që do të zëvendësonte dollarin e fuqishëm amerikan. Përndryshe, ato do të përballen me tarifa 100 për qind dhe duhet të presin t’i thonë lamtumirë shitjeve në ekonominë tonë të mrekullueshme. Le të gjejnë një tjetër viktimë të pafajshme,” tha Trump.
Trump shtoi se “nuk ka asnjë shans që BRICS të zëvendësojë dollarin amerikan në tregtinë ndërkombëtare ose në ndonjë vend tjetër.”
“Çdo vend që përpiqet ta bëjë këtë duhet të mirëpresë tarifat dhe t’i thotë lamtumirë Amerikës!” përfundoi presidenti amerikan.
Grupi BRICS, i krijuar në vitin 2009, përfshin vendet më të mëdha në zhvillim për nga sipërfaqja dhe popullsia. Fillimisht i përbërë nga Brazili, Rusia, India dhe Kina, më pas u zgjerua me Afrikën e Jugut, Iranin, Egjiptin, Etiopinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezinë.
Rusia, e cila aktualisht është nën sanksione nga SHBA dhe BE, po përpiqet aktivisht për krijimin e një monedhe të re për transaksionet brenda grupit BRICS. Qëllimi është të reduktohet varësia nga dollari amerikan dhe të anashkalohen kufizimet që imponon sistemi ndërkombëtar financiar.
Megjithatë, nuk ka një konsensus midis vendeve anëtare të BRICS-it për këtë çështje. Kina, edhe pse mbështet fuqizimin e rolit të monedhave alternative, mbetet e kujdesshme ndaj idesë së një monedhe të përbashkët. Ndërkohë, India i jep përparësi interesave të saj ekonomike të brendshme dhe ngurron të rrezikojë marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.