Trump bëhet presidenti i parë amerikan ndaj të cilit votohet impiçmenti për herë të dytë

Me 232 vota pro dhe 197 kundër, votimi tani e dërgon çështjen në Senat për një gjyq që pritet të fillojë më jo më parë se 19 janari.

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi për fajësimin (impiçmentin) ndaj presidentit Donald Trump me një nen të vetëm, nxitje të kryengritjes, duke e bërë atë presidentin e parë në historinë e vendit i cili fajësohet për herë të dytë në shtëpinë ligjvënëse.

Me 232 vota pro dhe 197 kundër, votimi tani e dërgon çështjen në Senat për një gjyq që pritet të fillojë më jo më parë se 19 janari. Në përgjithësi, dhjetë republikanë ndanë rrugët me presidentin e tyre në mbështetjen e largimit të tij nga posti.

Kjo paraqet një dallim të madh nga impiçmenti i parë ndaj Trump-it kur Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve refuzuan në mënyrë unanime rrëzimin e tij.

Këtë herë, ligjvënësit amerikanë votuan mbi një nen të vetëm të impiçmentit, që akuzon Trump-in për përpjekje për të nxitur kryengritje, për shkak të rolit në bastisjen e ndërtesës së Kongresit javën e kaluar.

Gjithsej pesë njerëz humbën jetën pasi mbështetësit e presidentit amerikan rrethuan ndërtesën e Kongresit në Washington, duke tejkaluar policinë për të hyrë brenda përmes dyerve dhe dritareve të thyera. Midis të vdekurve ishte oficeri i Policisë së Kapitolit, Brian Sicknick.

Siguria në kryeqytetin e vendit ka arritur nivelet historike përpara inaugurimit të Biden-it më 20 janar. Rreth 20.000 anëtarë të Gardës Kombëtare pritet të jenë të pranishëm në Washington për ngjarjen.

Kategoritë
BotaLajme