Bazuar në imazhet satelitore të objektit bërthamor në Fordow pas sulmeve të mbrëmshme nga bombarduesit amerikanë B-2, në malin ku ndodhen objektet nëntokësore për pasurimin e uraniumit shihen qartë dëmtime dhe kratere të mëdha.
Sipas analizës së Qendrës Britanike për Burime të Hapura, në pjesën veriore të kompleksit janë identifikuar të paktën tri kratere të afërta, që ndodhen mbi malin ku është i vendosur objekti Fordow. Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, besohet se krateret janë rezultat i depërtimit të bombave amerikane GBU-57 MOP të dizajnuara për objektiva të thellë nëntokësorë.
Në një pjesë tjetër të malit, imazhet tregojnë shenja të rrëshqitjes apo uljes së terrenit, që mund të jenë pasojë direkte e shpërthimeve të fuqishme në brendësi të strukturës nëntokësore.
Ushtria dhe Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara nuk kanë dhënë ende konfirmim apo detaje mbi efektet e sulmit të fundit, ndonëse është raportuar se janë përdorur 12 bomba depërtuese GBU-57 MOP gjatë goditjeve ajrore ndaj objektit strategjik iranian.