Theu heshtjen zgjedhore, VV dërgon ankesë në PZAP për Rakiqin

Në mëngjesin e sotëm, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pasi votimit për kryetar të komunës së Mitrovicës ka thyer heshtjen zgjedhore duke ftuar qytetarët që të votojnë kandidatin e Listës Serbe. E për këtë, Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në PZAP ndaj Rakiq.

Kështu ka bërë të ditur kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga radhët e Vetëvendosjes, Erden Atiq.

Ai në reagim ka shkruar se ata që i drejtohen Republikës së Kosovës me “Kosovo i Metohija” nuk mund të përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi.

“REAGIM. Shkelësit e ligjit nuk mund të qeverisin, ata që nuk njohin ligjet nuk sigurojnë zbatimin e tyre! Ata që i drejtohen Republikës së Kosovës me ‘’Kosovo i Metohija’’ nuk mund të përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi. Kryetari i listës serbe, që njëherësh është zëvendës kryeministër, Goran Rakiq ka bërë thirrje të votohet Lista Serbe, duke thyer kështu ligjin për zgjedhje dhe heshtjen zgjedhore, ndërkohë kandidati për kryetar të veriut Radejoviq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim me ligjet në Kosovë, duke mohuar shtetësinë tonë dhe duke ofenduar qytetarët e pjesës veriore! Zyrtarët tonë ligjor kanë dorëzuar ankesën për shkeljen e heshtjes zgjedhore në PZAP”, ka shkruar ai.

Kategoritë
LajmeVendi