Të shtëna me armë në Budva të Malit të Zi: Vritet një shtetas turk, policia arreston një të dyshuar

Të shtëna me armë në Budva të Malit të Zi: Vritet një shtetas turk, policia arreston një të dyshuar

Një person ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën mbrëmë rreth orës 21:10 në Budva të Malit të Zi. Policia ka arrestuar një person të dyshuar dhe ka sekuestruar dy pistoleta. Sipas raportimeve jozyrtare të gazetës malazeze “Vijesti”, viktima është shtetas i Turqisë.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi ka njoftuar se Shërbimi Kujdestar i Departamentit të Sigurisë në Budva ka pranuar një denoncim për përdorimin e armëve të zjarrit.

Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se një person kishte mbetur i vrarë. Menjëherë janë vendosur bllokada në rrugë dhe ka nisur një operacion për kapjen e autorëve.

Arrestohet një i dyshuar, në kërkim edhe dy persona

Gjatë operacionit, policia ka lokalizuar dhe arrestuar një person të dyshuar, ndërsa ka sekuestruar dy pistoleta dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.

Sipas informacioneve fillestare të policisë, në incident janë përfshirë shtetas të huaj.

Për rastin është njoftuar prokurori i Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, i cili po drejton hetimet dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Një person i plagosur u gjet pranë një shkolle

Të shtënat kanë ndodhur pranë një restoranti, në afërsi të semaforëve kryesorë në Budva.

Sipas raportimeve të mediave lokale, një person i plagosur është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas është gjetur nga policia pranë një shkolle fillore. Ai është transportuar me ambulancë për të marrë trajtim mjekësor.

Mediat malazeze raportojnë se policia është në kërkim edhe të dy personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë shtetas turq.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi, në njoftimin e saj të parë, nuk ka bërë të ditur identitetin apo shtetësinë e viktimës.

Mali i Zi kishte pezulluar regjimin pa viza për shtetasit turq

Në fund të tetorit 2025, Mali i Zi kishte pezulluar përkohësisht regjimin e udhëtimit pa viza për shtetasit e Turqisë.

Vendimi ishte marrë pas disa incidenteve në Podgoricë, ku një shtetas malazez kishte mbetur i plagosur. Ngjarjet më pas kishin nxitur sulme ndaj shtetasve turq dhe bizneseve të tyre në Mal të Zi.

Kategoritë
LajmeRajoni