Të paktën 20 persona u vranë në Rafah ndërsa prisnin ndihma: “Menduam se do të merrnim ushqim, por ishte një kurth”

Të paktën 40 persona u vranë sot nga zjarri izraelit, gjysma prej tyre pranë një qendre të shpërndarjes së ndihmave të Organizatës Humanitare për Gazën (GHF), njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Mjekët thanë se të paktën 20 persona u vranë dhe 200 të tjerë u plagosën pranë qendrës së ndihmave në Rafah, duke përbërë kështu masakrën më të fundit ku qindra palestinezë janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ushqim që kur Izraeli vendosi një sistem të ri shpërndarjeje, duke e zbutur pjesërisht bllokadën gati tre mujore.

Izraeli ia ka lënë përgjegjësinë për shpërndarjen e shumicës së ndihmave humanitare që lejon të hyjnë në Gaza organizatës GHF, një organizatë e re e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila menaxhon tri pika shpërndarjeje të mbrojtura nga ushtarë izraelitë.

Kombet e Bashkuara e kanë kundërshtuar këtë sistem, duke thënë se shpërndarja nga GHF është e papërshtatshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me parimet e paanshmërisë humanitare. Ushtria izraelite nuk ka komentuar menjëherë raportimet për të shtënat. Në incidente të mëparshme, ajo herë pas here ka pranuar se ushtarët kanë hapur zjarr pranë qendrave të ndihmave, por ka fajësuar militantët për provokimin e dhunës.

Familjarët e viktimave u drejtuan drejt spitalit Naser. Gratë dhe fëmijët qanin pranë trupave të mbështjellë me çarçafë të bardhë.

“Shkuam atje duke menduar se do të merrnim ndihmë për të ushqyer fëmijët tanë, por doli të ishte një kurth, një vrasje. U këshilloj të gjithëve: mos shkoni atje,” tha Ahmed Fajad, një nga ata që kishte shkuar për të marrë ndihmë humanitare.

Kategoritë
BotaLajme