Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pret që së shpejti Policia dhe Prokuroria të dalin me raport mbi të gjeturat për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe kidnapimit të tre policëve.
Kjo gjë, Sveçla ka thënë se pret të ndodhë ditëve në vijim.
“Për çështjen e sulmit terrorist në Bansjkë më 24 shtator, tashmë jeni njoftuar që Policia e Kosovës me Prokurorinë janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës. Patjetër unë shpresoj që shumë shpejtë do ta dalin me rezultatet preliminare, kjo është edhe një ndër kërkesat që i kam adresuar edhe Policisë dhe Prokurorisë përmes Policisë, që sa më shpejtë të kemi një raport preliminar mbi të gjeturat nga ky rast, por edhe nga rasti i kidnapimit të policëve. Do të thotë përgjegjësit kryesorë për hetim dhe për të ndërmarrë hapat e duhur se a do të dalin me raport për hetimet e tyre unë besoj që duhet t’i pyesni ata. Unë pres që ditëve në vijim që Prokuroria dhe Policia të dalin me raport mbi të gjeturat për këto dy raste jashtëzakonisht të rënda për Kosovën”, tha ai.
Po bëhen gati 3 muaj nga agresioni serb në veri të Kosovës. Kosova ka përpiluar një raport preliminar, të cilin ia ka përcjellë edhe Bashkimit Evropian. Më 9 tetor, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel ia ka përcjellë zyrtarisht BE-së raportin preliminar. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ditë më parë.
Gazeta Online Reporteri.net muajin e kaluar ka siguruar raportin preliminar të përpiluar nga Kosova.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës tha për Gazetën Online Reporteri.net se po bën hetime intensive në lidhje me sulmin e 24 shtatorit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para pak javësh tha se është e nevojshme që të ketë hetim të hollësishëm dhe t’i vendosen sanksione Serbisë, në mënyrë që të mos përsëriten sulmet sikurse ai i 24 shtatorit.
“Për të mos ndodhur kjo sërish, është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së, në njërën anë, dhe sanksionet ndaj Serbisë në anën tjetër”, ishte shprehur Kurti.
Sulmi në Banjskë ka nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri sot, janë identifikuar 38 terroristë që morën pjesë në sulm. /Reporteri.net/











