Sulm vetëvrasës në një kishë në Siri: Të paktën 30 të vrarë dhe të plagosur

Një sulmues vetëvrasës është shpërthyer të dielën në një kishë të mbushur me njerëz në Siri, raportoi televizioni shtetëror.

Shpërthimi ndodhi në zonën Dweil’a, në periferi të Damaskut, në kishën Mar Elias, në momentin kur njerëzit ishin duke u falur. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me seli në Britani që monitoron luftën në Siri, 30 persona janë vrarë ose plagosur, por numri i saktë nuk është konfirmuar ende. Disa media lokale raportuan se në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë.

Ky është sulmi i parë i këtij lloji në Siri pas disa vitesh dhe ndodh në një kohë kur Damasku po përpiqet të fitojë mbështetjen e komuniteteve minoritare. Po ashtu, është edhe sulmi i parë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit.

Ndërkohë që presidenti Ahmad al-Sharaa po përpiqet të vendosë kontrollin në të gjithë vendin, ka shqetësime për praninë e celulave të fjetura të grupeve ekstremiste në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

Forcat e sigurisë dhe ekipet e ndihmës së shpejtë kanë vrapuar në vendin e ngjarjes. Një dëshmitar, në një video që është shpërndarë gjerësisht në internet, tha se sulmuesi hyri në kishë, filloi të qëllonte mbi njerëzit dhe më pas aktivizoi jelekun shpërthyes që mbante mbi vete.

Kategoritë
BotaLajme