Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një operacion të suksesshëm për evakuimin e pesë shtetasve shqiptarë nga Izraeli, mes përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ka dhënë detaje mbi këtë ndërhyrje të koordinuar.
“Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro. Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë”, deklaroi ministri Hasani.
Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb, njëherësh këshilltar i kryeministrit Edi Rama për Lindjen e Mesme, dha detaje të mëtejshme mbi operacionin e evakuimit.
Ai theksoi rolin vendimtar të ambasadores shqiptare në Izrael, Meri Kumbe, e cila punoi në kushte të vështira për të siguruar largimin e qytetarëve shqiptarë.
“Mbi të gjitha dua të falënderoj ambasadoren tonë në Izrael Meri Kumbe për punën e saj të vështirë nën bomba duke marrë këta shtetas shqiptarë që donin të largoheshin. Bashkëpunuam për nxjerrjen e tyre me shtetin e Egjiptit, me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera ndër vite. Egjipti kurrë nuk ka thënë jo sa herë kemi pasur nevojë për ndihmë, siç ishte edhe ky rast”, u shpreh Ghorayeb.
Ai theksoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me shërbimin inteligjent egjiptian (JID), si dhe mbështetjen e autoriteteve më të larta të Egjiptit.
Konsulli nuk la pa përmendur edhe rolin e kryeministrit Edi Rama në ndërtimin e këtyre marrëdhënieve me vendet e rajonit.
“Të evakuuarve i uroj çdo të mirë e plot bekime”, përfundoi Ghorayeb.
Ky operacion vjen në kohën kur situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, duke rritur nevojën për koordinim diplomatik dhe ndërhyrje të shpejta për garantimin e sigurisë së qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.