Grup kongresistësh paraqet rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve: Kërkojnë ndalimin e përfshirjes së SHBA-së në luftë kundër Iranit

Një grup kongresistësh amerikanë, i udhëhequr nga republikani Thomas Massie dhe demokrati Rohit Khanna, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që kërkon tërheqjen e menjëhershme të forcave të armatosura amerikane nga veprimtaritë luftarake të papublikuara kundër Republikës Islamike të Iranit.

Kjo rezolutë, e paraqitur si “e privilegjuar”, duhet të shqyrtohet menjëherë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat.

Rezoluta i bën thirrje presidentit të SHBA-së që, në përputhje me nenin 5(c) të Ligjit për Kompetencat e Luftës, të ndalojë përdorimin e forcave amerikane në veprime ushtarake jo të autorizuara kundër Iranit, përveç nëse Kongresi shpall formalisht luftë ose jep autorizim specifik me ligj.

“Kjo nuk është lufta jonë. Edhe po të ishte, Kushtetuta kërkon që për çështje të tilla të vendosë Kongresi,” shkroi Massie në platformën X (ish-Twitter).

Në arsyetim thuhet:

  • Se Kushtetuta e SHBA-së i jep vetëm Kongresit të drejtën për të shpallur luftë;

  • Se nuk është dhënë asnjë autorizim për luftë ndaj Iranit;

  • Se presidenti është i detyruar të tërheqë forcat ushtarake nëse Kongresi e kërkon në mënyrë të qartë.

Rezoluta nuk ndalon aktivitetet e inteligjencës apo kundërzbulimit që përfshijnë Iranin dhe nuk autorizon përdorimin e ndonjë force ushtarake. Ajo gjithashtu nuk ndalon Shtetet e Bashkuara të mbrojnë veten në rast të një kërcënimi të menjëhershëm.

Përveç Massie-t dhe Khanna-s, rezolutën e mbështetën edhe shumë kongresistë të tjerë: Don Beyer (Virginia), Greg Casar (Teksas), Alexandria Ocasio-Cortez dhe Nydia Velázquez (New York), Lloyd Doggett (Teksas), Chuy Garcia dhe Delia Ramirez (Illinois), Pramila Jayapal (Washington), Summer Lee (Pennsylvania), Jim McGovern dhe Ayanna Pressley (Massachusetts), Ilhan Omar (Minnesota) dhe Rashida Tlaib (Michigan).

Analistët politikë në Uashington vlerësojnë se kjo nismë është përgjigje ndaj shqetësimit në rritje për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në një konflikt të armatosur ndërmjet Izraelit dhe Iranit pa miratimin e Kongresit.

Kategoritë
BotaLajme