Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbajti sot një konferencë të jashtëzakonshme për media në Stamboll, pas sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj impianteve bërthamore iraniane, të cilat ai i quajti “shkelje të pafalshme të së drejtës ndërkombëtare” dhe paralajmëroi se heshtja ndërkombëtare mund të çojë në një kaos të paprecedent.
Araghchi akuzoi presidentin amerikan Donald Trump për “tradhëti ndaj Iranit dhe manipulim të përkushtimit për diplomaci”, duke shtuar se “e ka mashtruar edhe elektoratin e tij që e zgjodhi me premtimin për t’i dhënë fund luftërave të pafundme”.
Administratën e Trumpit ai e quajti “një dhunues pa ligj” dhe përsëriti thirrjen drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të dënojë urgjentisht “aktin e agresionit amerikan”. Ai paralajmëroi se “heshtja e bashkësisë ndërkombëtare do ta çojë botën drejt një niveli të paparë rreziku dhe kaosi”.
Shefi i diplomacisë iraniane theksoi se SHBA mban “përgjegjësinë e plotë për pasojat e veprimeve të saj”, duke theksuar se sulmi ndodhi “në mes të një procesi diplomatik”.
“Irani ishte i përkushtuar ndaj dialogut. Të premten u takova me ministrat e jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, SHBA vendosi të nisë një operacion të rrezikshëm ushtarak kundër popullit të Iranit”, deklaroi Araghchi.
Ai shtoi se vendi i tij e mban të drejtën për vetëmbrojtje legjitime dhe do ta ushtrojë këtë të drejtë “për aq kohë sa është e nevojshme”.
I pyetur nga Associated Press për dëmet e mundshme në objektet bërthamore, Araghchi tha se është “në kontakt me Teheranin”, por se ende nuk ka të dhëna të sakta mbi përmasat e dëmit.
“Megjithatë, nuk ka rëndësi sa është dëmi – vetë akti i sulmit mbi objektin bërthamor është një shkelje e pafalshme e së drejtës ndërkombëtare,” u shpreh ai.
Ai zbuloi se një ditë më parë ka biseduar me disa ministra të jashtëm nga rajoni, të cilët, sipas tij, janë “thellësisht të shqetësuar” dhe të gatshëm të ndërmjetësojnë për ndaljen e agresionit izraelit.
Lidhur me çështjen e negociatave të mëtejshme, Araghchi u shpreh qartë:
“Sigurisht që dyert e diplomacisë gjithmonë duhet të qëndrojnë të hapura, por aktualisht kjo nuk është situata. Irani është sulmuar, është bërë agresion dhe ne do të përgjigjemi në bazë të të drejtës sonë legjitime për vetëmbrojtje.”
Ai theksoi se përpjekjet e mëparshme diplomatike janë sabotuar: “Ne ishim në negociata me amerikanët kur izraelitët i shkatërruan gjithçka. Më pas, vetëm dy ditë më parë, zhvilluam bisedime me evropianët në Gjenevë – dhe amerikanët na sulmuan. Pra, ne zgjodhëm diplomacinë – por na u përgjigjën me sulm.”
I pyetur nga TRT World për paralajmërimin e Trumpit se Irani duhet të “nënshkruajë paqe” ose do të përballet me sulme më të mëdha, Araghchi u përgjigj:
“Nuk i takon Iranit të përgjigjet ndaj kësaj – është e gjithë bashkësia ndërkombëtare që duhet të reagojë ndaj një kërcënimi kaq të hapur ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara. Irani nuk ka bërë asgjë të keqe. Për 20 vjet kemi dëshmuar se programi ynë bërthamor është paqësor.”
Ai kujtoi që e gjithë bota e mirëpriti marrëveshjen bërthamore me Iranin gjatë administratës së Barack Obamës, nga e cila Trump më vonë u tërhoq në mënyrë të njëanshme.
“Ne negociuam edhe me administratën e tij, dhe papritmas na sulmuan,” shtoi Araghchi, duke paralajmëruar se tashmë Irani është nën kërcënimin e sulmeve të tjera.
“Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e dënon këtë dhe nuk e ndalon, nuk do të mbetet asgjë nga e drejta ndërkombëtare apo nga siguria globale,” përfundoi ai.
Në fund të konferencës, Araghchi njoftoi se do të udhëtojë për në Moskë, ku nesër do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.
“Rusia është mike e Iranit. Ne konsultohemi vazhdimisht me njëri-tjetrin. Gjatë dy-tre muajve të fundit, ndërsa negociuam me SHBA-në, i kemi informuar vazhdimisht partnerët tanë rusë për çdo propozim dhe çdo lëvizje – ose mungesën e saj,” tha ai.
Ai theksoi se takimi i nesërm me presidentin rus do të jetë “i rëndësishëm dhe përmbajtësor” dhe se bashkëpunimi i ngushtë midis Teheranit dhe Moskës do të vazhdojë.