“SHBA hedh 6 bomba shkatërruesë bunkerësh në Fordow dhe dhjetëra raketa në Natanz dhe Isfahan”

Presidenti Trump tha se secila prej bombave shkatërruese bunkerësh peshonte 15 tonë dhe u hodhën nga bombarduesit amerikanë të fshehtë B-2.

SHBA-ja ka hedhur gjashtë bomba shkatërruese bunkerësh në objektin bërthamor Fordow dhe ka kryer dhjetëra sulme me raketa nga nëndetëset në dy lokacione të tjera, pasi shënjestruar programin bërthamor të Iranit, transmeton Anadolu.

Fox News tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i detajoi sulmet prezantuesit televiziv Sean Hannity, duke theksuar se secila prej bombave shkatërruese bunkerësh peshonte 15 tonë dhe u hodhën nga bombarduesit amerikanë të fshehtë B-2. Në total, 30 raketa lundruese Tomahawk u lëshuan nga nëndetëset amerikane në objektet bërthamore në Natanz dhe Isfahan.

Trump konfirmoi sulmet më herët dhe tha se një “ngarkesë e plotë” bombash u hodh në vendin “primar” bërthamor iranian në Fordow dhe sulme shtesë u kryen në objektet në Natanz dhe Isfahan. Ai tha se të gjitha avionët luftarakë amerikanë u larguan nga hapësira ajrore iraniane.

“Të gjithë aeroplanët janë të sigurt në rrugën e tyre për në shtëpi. Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë. Nuk ka asnjë ushtri tjetër në botë që mund ta kishte bërë këtë,” shkroi Trump në mediat sociale.

“Tani është koha për paqe! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shtoi ai.

Objekti bërthamor Fordow është një vend nëntokësor i pasurimit të uraniumit pranë qytetit Qom, instalimi bërthamor më i thellë dhe më i fortifikuar i Iranit i projektuar për t’i bërë ballë sulmeve ajrore konvencionale.

Irani e kishte paralajmëruar fuqishëm Trumpin kundër përfshirjes në konfliktin me Izraelin, duke deklaruar se nëse SHBA-ja do të hynte drejtpërdrejtë në armiqësi, kjo do të çonte në “pasoja të pa riparueshme”.

Trump vazhdimisht ka kërcënuar të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Teheranit dhe ka pohuar se SHBA-ja nuk do ta lejojë Iranin të pajiset me një armë bërthamore, ndërkohë Irani vazhdimisht ka mohuar se synon pajisjen me armë bërthamore.

Armiqësitë shpërthyen më 13 qershor kur Izraeli nisi sulme ajrore në disa vende në të gjithë Iranin, duke përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke e çuar Teheranin të nisë sulme hakmarrëse.

Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.

Kategoritë
BotaLajme