SBASHK me apel te disa mësimdhënës: Mos nënshkruani kontrata të reja të punës

Ditët e fundit në komunën e Vushtrrisë është rishfaqur kërkesa për nënshkrimin e kontratave të reja të punës, pavarësisht se mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar tashmë kanë kontrata pune me afat të pacaktuar.

Sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, versioni i Kontratës së re është në kundërshtim me udhëzimin administrativ ,që është në fuqi dhe ka më pak të drejta të precizuara, krahasor me kontratat që kanë punëtorët e arsimit parauniversitar.

“SBASHK kërkon nga Komuna e Vushtrrisë që menjëherë të ndalë këtë praktikë të gabuar dhe presionin ndaj mësimdhënësve, si dhe u bën thirrje të gjitha komunave tjera që të mos ndjekin këtë shembull të dëmshëm, i cili bie ndesh me të drejtat e garantuara të punëtorëve. Njëkohësisht, apelojmë te të gjithë anëtarët tanë, që kanë kontrata me afat të pacaktuar, të mos nënshkruajnë këto versione të reja të kontratave, edhe në rast se ndihen të presionuar nga punëdhënësit”.

“Kujtojmë se çdo formë presioni për nënshkrim kontrate të pafavorshme përbën shkelje të Kodit të Punës (Ligji Nr. 03/L-212), e cila mund të sjellë pasoja ligjore për punëdhënësin. Çdo rast i tillë mund dhe duhet të raportohen në SBASHK për trajtim institucional”, thuhet në reagimin e SBAShK.

Kategoritë
LajmeVendi