Moska dënon me vendosmëri sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore në Iran, duke e quajtur këtë vendim të papërgjegjshëm një shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
“Rusia i dënon ashpërsisht sulmet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen në agimin e 22 qershorit ndaj një sërë objektesh bërthamore në Iran, të cilat pasuan sulmet izraelite ndaj Republikës Islamike”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se “vendimi i papërgjegjshëm për të goditur me raketa dhe avionë territorin e një shteti sovran, pavarësisht arsyetimeve, përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat më parë i kanë karakterizuar qartë veprime të tilla si të papranueshme”.
“Veçanërisht shqetësuese është që këto sulme u kryen nga një shtet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bëjmë thirrje për një ndalim të menjëhershëm të agresionit dhe rritje të përpjekjeve për të krijuar kushte për kthimin e situatës në kuadër politik e diplomatik”, thuhet në deklaratë.
Theksohet posaçërisht se Këshilli i Sigurimit i OKB-së “duhet të reagojë” ndaj këtyre sulmeve.
“Është e domosdoshme që kolektivisht të refuzohet sjellja konfrontuese e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Pasojat e kësaj veprimi, përfshirë efektet e mundshme radioaktive, ende duhet të vlerësohen. Por tashmë është e qartë se ka nisur një cikël i ri i përshkallëzimit të rrezikshëm që kërcënon të minojë më tej sigurinë rajonale dhe globale. Rreziku i përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, e cila edhe pa këtë është e goditur nga shumë kriza, është rritur ndjeshëm”, thuhet më tej.
Në deklaratë thuhet se shqetësim i veçantë paraqet “dëmtimi i shkaktuar ndaj regjimit global për mosshpërndarjen e armëve bërthamore, të bazuar në Traktatin për Mosshpërndarjen e Armëve Bërthamore (NPT), si pasojë e sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane”.
“Sulmet ndaj Iranit kanë dëmtuar rëndë autoritetin e NPT-së dhe sistemit të verifikimit dhe mbikëqyrjes së Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), që bazohet në këtë traktat”, thuhet në deklaratë.
Rusia pret nga drejtuesit e Agjencisë një reagim të shpejtë, profesional dhe të qartë, “pa fraza të paqarta dhe përpjekje për t’u fshehur pas një balanci politik”.
“Kërkohet një raport objektiv nga drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, i cili do të shqyrtohet në një seancë të posaçme të Agjencisë, që duhet të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.
Gjatë natës së 22 qershorit, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA ka kryer një sulm të suksesshëm ndaj “tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordo, Natanz dhe Isfahan”. Ai deklaroi se Teherani duhet të pajtohet për përfundimin e konfliktit. Para kësaj, që nga 13 qershori, Izraeli kishte ndërmarrë çdo ditë sulme ndaj Iranit, duke deklaruar si objektiv shkatërrimin e programit raketor dhe bërthamor të këtij shteti.