“Reuters”: ShBA-ja e Rusia po eksplorojnë mënyra për ta rikthyer gazin rus në Evropë

Kur raportet e Evropës me Rusinë në fushën e energjisë janë të ftohta, zyrtarë nga Uashingtoni e Moska kanë mbajtur diskutime për ndihmën që do të mund ta ofronte ShBA-ja për ringjalljen e shitjeve të gazit rus në kontinent, i kanë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” tetë burime të afërta me këto bisedime.

Evropa e zvogëloi shumë importin e gazit rus pas fillimit të pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022. Ky veprim kishte ndikuar që eskportuesi rus “Gazprom” të shënonte humbje prej 7 miliardë dollarësh vitin pasues, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po bën thirrje për paqe në Ukrainë, duke e ngritur mundësinë për ngrohjen e marrëdhënieve në fushën e tregtisë së gazit.

Burimet e afërta me diskutimet dypalëshe thanë se ndërtimi i një roli të ri për Moskën në tregun e gazit të Bashkimit Evropian mund të ndihmojë në betonimin e një marrëveshjeje të paqes me presidentin rus, Vladimir Putin.

Edhe pse një pjesë e madhe e Evropës ka kërkuar furnizime alternative, disa blerës kanë mbetur dhe zyrtarë të kësaj industrie thonë se më shumë të tjerë mund të rikthehen porsa të arrihet një pakt i paqes.

Sa i përket mënyrës se si amerikanët mund të përfshihen, pesë burime thanë se në bisedime deri më tani është diskutuar marrja e një pjese të aksioneve nga investitorët amerikanë në gazsjellësin “Nord Stream”, i cili e lidh Rusinë me Gjermaninë, ose në gazsjellësin që kalon nëpër Ukrainë, ose në vetë kompaninë “Gazprom”.

Firmat amerikane do të mund të shërbenin edhe si blerëse, duke blerë gaz nga kompania “Gazprom” e duke e dërguar atë në Evropë, përfshirë Gjermaninë, thanë burimet.

Kategoritë
BotaLajme