Rast i pabesueshëm: Kroati që ishte zhdukur për 31 vjet u gjet gjallë në Francë

Shtetasi kroat Boris C., i cili ishte zhdukur në vitin 1994 në Gjermani, është gjetur pas 31 vitesh gjallë në Francë.

Për vite me radhë, policia ka besuar se Boris ishte vrarë, për shkak të rrethanave të zhdukjes së tij. Në kohën e zhdukjes, ai ishte 37 vjeç, ndërsa tani është zbuluar se jeton në Francë me një identitet të ri dhe me një familje të re.

Ky zhvillim i jashtëzakonshëm ka tronditur publikun dhe hetuesit, të cilët prej dekadash ishin të bindur se bëhej fjalë për një vrasje. Makina e tij ishte gjetur në Dyseldorf me gjurmë gjaku, që më vonë u konfirmuan si të tijat. Kjo e bëri policinë gjermane të dyshonte menjëherë për një vrasje, por pavarësisht hetimeve të gjata, Boris nuk u gjet kurrë. Familja e shpalli zyrtarisht të vdekur në vitin 1997.

Rikthesa ndodhi pas më shumë se tri dekadash, kur autoritetet zbuluan se Boris C. jetonte në Francë. Ai ka pranuar se kishte borxhe të mëdha dhe frikë për sigurinë e vet dhe të familjes, ndaj kishte vendosur të zhdukej dhe të niste një jetë të re. Gjurmët e gjakut në veturë, të cilat ishin provë kyçe, rezultuan të ishin pjesë e planit të tij. Policia tani beson se Boris është lënduar qëllimisht për të krijuar përshtypjen e një krimi të dhunshëm dhe për të çorientuar hetuesit, gjë që funksionoi për tri dekada.

Rasti u rihap falë emisionit televiziv gjerman Aktenzeichen XY, i cili shpesh ka ndihmuar në zgjidhjen e rasteve të vjetra të krimeve dhe zhdukjeve.

Kategoritë
BotaLajme